
Qytetarët besojnë më shumë tek gazetaria sesa shteti
Dritare.net

Në mes të një klime të nxehtë politike në vend, ku shumica dhe pakica janë në kulmim e një përballje politike, emisioni STOP na kujtoi të gjithëve se në këtë vend nuk ka vetëm politikë. Ka edhe tema të tjera që ia vlen të merresh dhe madje edhe seriozisht. Pas një tjetër skandali të denoncuar 3 muaj më parë ky emision denoncon një skandal të dytë. Këtë radhë gjenden me dhjetëra kuti e thasë me medikamente të hedhura në lumin Erzen.
Pamjet shokuese i ndoqëm të gjithë përmes ekranit dhe nuk kanë nevojë për ndonjë koment të veçantë. Çdo njeri i përgjegjshëm do tmerrohej me amullinë e institucioneve përgjegjëse. Gjumë flenë të gjithë? Kjo është pyetja e parë që do bënte secili prej nesh. E askush nuk mund t’i thotë askujt se pse mendon në këtë mënyrë, se është e drejtë: tek e fundit të gjithë ata që erdhën e u bënë të gjallë pasi i mori në telefon ai gazetari i STOP-it, paguhen nga ne, paguhen me taksat tona.
Tjetër gjë, shteti ynë duhet ta kishte parashikuar një gjë të tillë. Kaq pushtetar të pazotë kemi sa të mos u vejë mendja që jo të gjitha barnat mund të shiten, dhe afërmendsh që do të ketë edhe ilaçe që do të ngelin të pashitura ose edhe thjesht të skadojnë. E pra, dikujt duhet t’i kishte shkuar në mendje të bënte një pyetje të thjeshtë: “Ku do i çojmë ilaçet që do të ngelin pa u shitur apo që do skadojnë?”, para se të jepnin lejet për ushtrimin e kësaj tregtie.
Prej këtej del që para se të jepej ajo e shkretë leje duhej që të kërkohej kryerja e një investimi jo dhe aq të madh në vlerë monetare, por me një rëndësi jetike për mbarëvajtjen e këtij biznesi. Në të njëjtën kohë ai do të ishte edhe një investim i zgjuar dhe me kthim të sigurt, që do të kish hapur edhe disa vende të përhershme dhe të sigurta pune. Fjala është për ndërtimin e një furre në të cilën do të bëhej e mundur asgjësimi i barnave të ngelur apo të skaduara.
Nëse investitori do të qe edhe më i mençur do e zgjeronte përdorimin e kësaj furre edhe për asgjësimin e barnave të kafshëve, e pse jo edhe të pesticideve që përdoren në bujqësi. Ky është një treg ende i paeksploruar dhe të bësh para në këtë mënyrë është plotësisht e mundur. E pse jo të vazhdohej edhe me shndërrimin e energjisë termike në elektrike qoftë edhe vetëm për nevojat e tua. Ja pra 20 e kusur vjet kanë kaluar dhe janë humbur ca miliarda lekë të sigurt vetëm e vetëm se askujt në Ministrinë e Shëndetësisë apo të Mjedisit nuk i ka shkuar mendja ta bëjë atë të shkretë pyetje: “Ku do i çojmë ilaçet që do të ngelin pa u shitur apo që do skadojnë?”.
Po kjo që u pa dhe u dëgjua prek edhe ministrin e Shëndetësisë. Uji i ndotur nga hedhja e medikamenteve përdorej për ujitje. Si ka mundësi që fshatrat që gjenden buzë lumit Erzen nuk kanë mundur të përfitojnë nga projekti për rindërtimin e kanaleve vaditëse? Si s’u kujtua dikush edhe për to. Po gjithë ata kryepleq fshatrash e administrator ish komunash si s’e ngritën një herë zërin, qoftë edhe një herë të vetme për ujin të cilin bashkëfshatarët e tyre e përdorin për të ujitur të mbjellat e tyre?!
Është e qartë në një vend në të cilin të gjithë thonë: “Ç’më duhet mua?”, vetëm në atë vend mund të ndodhin të tilla gjëra. Po, është e qartë edhe një tjetër gjë, që në një vend ku shteti shihet si punëmarrësi më i madh dhe më i rëndësishëm mund të ndodhin gjëra si ato që i pamë tek STOP.
Po ajo që më habit më tepër është jo amullia apo tuhafllëku që ka kapluar të gjithë përfaqësuesit e atyre institucioneve që erdhën menjëherë porsa i thirri gazetari i STOPIT, por MOSBESIMI. Si ka mundësi që ai fermeri mori në telefon redaksinë e emisionit dhe jo, të themi, agjencinë rajonale të mjedisit. Diçka e rëndë ka ndodhur tek ata të mjerë. Ose janë munduar dhe nuk janë marrë seriozisht, ose thjesht nuk kanë dashur të lodhen, se të gjithë e dimë se ç’heq i shkreti njeri kur fati e çon nëpër zyra. Që të dyja supozimet janë të mundura, por nuk di pse prirem të mendoj se hamendësimi i fundit ka më tepër gjasa të jetë i vërtetë. E nëse kam të drejtë, atëherë kjo është për të vënë duart në kokë. Nëse qytetari nuk ka besim se i zgjidhet halli në një X zyrë, atëherë pse na duhet shteti, atëherë pse paguajmë taksa.
Dhe për ta mbyllur, dua të kujtoj atë batutën e Saimirit: “Hëngra ca nga ato lakrat që ujiteshin me ujin e lumit Erzen. Do ti që më hoqën dhimbjen e barkut!”. Dhe ashtu kot më erdhi një pyetje në kokë: - Po ata çfarë hanë që janë kaq të qetë e nuk e venë ujin në zjarr?/dritare.net

















