Pse dhembi aq shumë vdekja e Xhevdet Ferit!

Nga Dritan Hila

Vdekja e Xhevdet Ferit si një vdekje e parakohshme, është e natyrshme të sjellë një dhimbje përtej të zakonshmes.

Ishte një ndër aktorët e spikatur të brezit të tij, spikatje që bie më shumë në sy me shkretëtirën që erdhi më pas.

Por ishte diçka më pak sesa paraardhësit e tij, të cilët dukeshin edhe  më të mëdhenj nga shkretëtira që ishte para tyre.

Megjithatë në majat e interpretimit teatror do të mbetet gjithë plejada e brezit të parë të aktorëve të Teatrit Popullor, të Teatrit të Shkodrës dhe individë të Korçës, Gjirokastrës, Fierit dhe Vlorës.

Të parët ishin edhe produkt i shkollës ruse. Të dytët ishin nënprodukt i saj, rrjedhimisht nuk mund të shkëlqenin.

Gjithsesi kinematografia jonë është e një niveli bazik. Ne nuk kemi filma në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por teatër të xhiruar në skenë të hapur, rrjedhim i shkollës së Sergei Eisenstein, babait të kinematografisë sovjetike.

Kinematografia jonë është patetike në interpretim dhe skematike në aktrim, rrjedhojë e shkollës që donte ta bënte artin, një kategori superiore e pasqyruar kjo edhe në gjestikulacion. Merrni dy filma rusë të viteve të fundit, që pretendohet se janë më të mirët e tyre: T34 ose Kështjella Brest. Krahasojini me Save Private Ryan të shkollës natyraliste amerikane. Personalisht këtë të fundit e kam parë mbi dhjetë herë. Dy të parët nuk i kam mbaruar dot.

Qoftë edhe në këngë. Merrni “Those were the days”, e cila është një këngë ciganesh ruse. Shikoni interpretimin e Mary Hopkin dhe të këngëtarëve rusë që shkojnë deri në vokalica të panevojshme, dhe me thoni se kë do të mbanit në CD player të makinës.

LEXO DHE :  Kosova pjesë e Konferencës së Donatorëve, zbulohet shuma që do të dhurojë

Ndërsa batutat që na kanë mbetur në mendje janë meritën e skenaristëve dhe ato më të spikaturat e kanë bazën te folklori.

Gjithsesi ikja e Ferit dhe e aktorëve të brezit të tij apo edhe atij të parë, ngjajnë dramatike duke parë shkretëtirën  që po lënë pas.

Dhe qershia mbi tortë  janë statuset e lamtumirës së politikanëve shqiptarë, që na tregojnë se këtu shkretëtira dhe thatësira nuk ka mbuluar vetëm artin.

Sa më sipër, është një analizë e një personi dashamirës të artit por që e ndjen se mekanizmi i kulturës është thyer.

Ndoshta ngjan pak donkishoteske të flasësh për artin dhe kinematografinë në një vend i cili po plaket përditë dhe aktorët e vetëm të gjinisë së bashkuar estradë-teatër-film, janë politikanët. E megjithatë asgjë nuk është më dramatike sesa mungesa e talenteve të spikatura në këto 30 vjet. Se cila mund të jetë rrugëdalja, vështirë të thuhet pasi nuk bëhet me një të rënë të shpatës. Por do të ishte e mira që si fillim të caktohen një pension prej 1.500€ për ata shkrimtarë, poetë, artistë, mjekë, historianë, korifej të mendimit shqiptar mbi 60 vjeç, që ende janë në jetë. Nuk e kalojnë numrin 300. Pasi të siguronim themelin, të mendonim për të ardhmen. Kjo është rruga e provuar që një komb nuk zhbëhet dhe respektohet më botë. Përndryshe do të na mbesin afrikanë që do të këndojnë me iso dhe çifteli,  këngë që nuk ia u dinë kuptimin./dritare.net

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

1 Koment

  1. Nuk kuptohesh mire zoteri i dashur!Ketej thua qe kemi pasur nje plejade aktoresh te shkelqyer dhe andej thua qe filmat tane jane si çfaqje teatrale te luajtura ne ambjent te hapur.Per mendimin tim kjo e dyta eshte me prane te vertetes.Sepse ne kemi pasur filma “Pankarte” qe i benin jehone propogandes se PP dhe jo realitetit apo karaktereve njerzore.Mua ( e di qe do te me sulen shume “artedashes” ) te them te drejten nuk me kane pelqyer asnjehere aktore te ashtuquajtur te ‘medhenj ” si Sander Prosi,…Kadri Rroshi,Naim Frasheri dhe ca te tjere qe nuk ia vlen as ti permendesh.Kane qene aktore pompoz .Mua me kane pelqyer ca te tjere me te “vegjel” si Reshat Arbana,Robert Ndrenika dhe ato me te rinjte si Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Ferri.Ishin me pak teatral dhe me shume jetesorNuk eshte ndonje sakrilegj i madh nese me perjashtim te paak filmave ,te tjeret ti shumezosh me zero.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.