Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“Prania Besnike” nis më 4 shtator, Rama: Deputetët do të maten me 100 pikë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para ministrave dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste mënyrën e re të kontaktit të deputetëve me qytetarët, përmes nismës së quajtur “Prania Besnike”.

Procesi do të nisë këtë të premte, më 4 shtator, në orën 17:00, dhe sipas Ramës, do të zhvillohet çdo të premte në të gjithë territorin e vendit. Takimet do të jenë të planifikuara dhe do të zhvillohen pa kamera, me qëllim që deputetët të dëgjojnë drejtpërdrejt problematikat e qytetarëve dhe t’i ndjekin ato përmes rrugëve institucionale.

Çfarë është “Prania Besnike”?

Sipas Ramës, “Prania Besnike” nuk do të jetë një takim elektoral apo aktivitet propagandistik, por një mekanizëm për të dëgjuar qytetarët dhe për të ndjekur problemet që ata paraqesin.

“Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë.”

Rama tha se takimet do të zhvillohen ballë për ballë, pa kamera dhe pa fokus te përkatësia partiake.

“Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët.”

Deputetët nuk do të shkojnë për të prezantuar arritjet e qeverisë, për të kërkuar vota apo për të ofruar favore, por për të marrë problematikat e qytetarëve dhe për t’i referuar ato te institucionet përkatëse.

Deputetët nuk do të ndërhyjnë te drejtorët

Një prej rregullave të përcaktuara nga Rama është që deputetët të mos ndërhyjnë drejtpërdrejt te drejtuesit e institucioneve përmes telefonatave apo kontakteve informale.

“Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional.”

Sipas tij, qëllimi është që deputetët të mos kthehen në ndërmjetësues për favore, por të ndjekin në mënyrë institucionale problematikat e qytetarëve.

“Duhet të disiplinojë institucionet, jo të kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve.”
Rama theksoi gjithashtu se suksesi i nismës do të matet pikërisht nga aftësia e institucioneve për t’iu përgjigjur qytetarëve.

“Suksesi i Pranisë Besnike do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithnjë e më pak për të sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë dhe jo kanal paralel.”

Performanca e deputetëve do të matet me 100 pikë

Në kuadër të kësaj nisme, Rama njoftoi edhe krijimin e një moduli me 100 pikë për matjen e performancës së deputetëve.

Sipas tij, pikët do të lidhen me disa elemente, përfshirë punën parlamentare, praninë në territor, cilësinë e dëgjimit dhe përgjigjes ndaj qytetarëve, punën me strukturat dhe vlerësimin që marrin nga njerëzit.

“Moduli i matjes së deputetit me 100 pikë të ndara sipas këtyre dy botëve, jo si ritual ndëshkimi ose marrje masash, është disiplinë e mandatit të katërt për të mos dalë me shqelma nga historia e këtij mandati.”

Rama e lidhi këtë mekanizëm me nevojën për të shmangur humbjen e kontaktit me qytetarët, të cilën e cilësoi si një rrezik për një shumicë qeverisëse.

Ai tha se sfida kryesore nuk është vetëm organizimi i takimeve, por përballja me problemet konkrete dhe me justifikimet.

“Beteja jonë kryesore është beteja me justifikimet.”

“Prania Besnike”, sipas Ramës, synon kështu të krijojë një mënyrë të rregullt të komunikimit mes deputetëve dhe qytetarëve, ndërsa performanca e përfaqësuesve do të vlerësohet përmes një sistemi me pikë./L.F-dritare.net