Na ndiqni edhe në

Politikë

Meta në listën e hapur! Presidenti i PL reagon nga qelia: Pa sakrificë ekstreme nuk ka fitore madhështore!

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas njoftimit se do të kandidojë si deputet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.

Meta në listën e hapur! Presidenti i PL reagon nga qelia: Pa

Në një mesazh të tij, Meta falënderoi Kryesinë e Partisë së Lirisë për propozimin fillestar për kandidaturën në listat e mbyllura, por theksoi se miratimi i kërkesës së tij për të garuar në listën e hapur është një hap i rëndësishëm në betejën politike që ai po udhëheq.

Meta nënvizoi se pa sakrificë ekstreme, nuk mund të arrihen fitore madhështore, duke i ftuar të gjithë të qëndrojnë të angazhuar për kauza më të mëdha, pavarësisht kushteve të vështira.

Ilir Meta: Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që fillimisht më propozoi të isha kandidat për deputet në listat e mbyllura, por që mbrëmë miratoi kërkesën time, që Ilir Meta edhe pse në kushte ekstreme izolimi, do të jetë kandidat për deputet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.

Partia e Lirisë (LSI) dhe Ilir Meta kanë qenë të parët për listat e hapura. Ilir Meta bashkë me disa kolegë hynë në grevë urie në vitin 2008 kundër ndryshimeve kushtetuese, që sollën listat e mbyllura dhe vranë parlamentarizmin e vërtetë

Ilir Meta në vitin 2005, për të gjithë ata që kanë humbur kujtesën, edhe pse kishte mundësinë të dilte deputet nëpërmjet sistemit proporcional, bëri një akt të rëndësishëm politik duke e vendosur veten vetëm në mazhoritar sepse për mua më i rëndësishëm ishte zhbllokimi i procesit europian të vendit se sa thjesht garantimi i një mandati deputeti. Unë nuk krijova parti për t’u bërë deputet por për të garantuar rotacionin politik dhe për të zhbllokuar integrimin europian të vendit.

Edhe sot, për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe e panë rrëmbimin tim kriminal dhe që e dinë se ku ndodhem, u them se pavarësisht se jam në kushte ekstreme izolimi është detyra ime të udhëheq Partinë e Lirisë me shembullin tim dhe të luftoj me të gjithë fuqitë e mia për t’u treguar të gjithëve se kjo është një betejë që në radhë të parë kërkon sakrifica ekstreme për t’u fituar dhe jo llogari meskine afatshkurtra nga ata që mendojnë se politika është narativë apo perceptim.

Ilir Meta me shembullin e tij nga qelia Nr.5 tregon se lufton për kauza të mëdha dhe se nuk i tradhton kauzat që beson.

Mafia nuk luftohet duke vegjetuar apo duke pritur dhurata nga qielli.

I falenderoj të gjithë për mirëkuptimin dhe për mbështetjen në këtë betejë historike për fitoren e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që është qëllimi ynë madhor. FITORE!/E.P-dritare.net