
Poezitë e Teodor Laços, kushtuar gruas: Ti më bëre djalë!
Dritare.net

Gruas së Teodor Laços, i shkojnë kaq shumë poezitë e të shoqit, pak kohë pas ndarjes nga jeta, e shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur, njërit prej njerëzve më elegantë të letrave shqipe.
Mira do patjetër ta kujtojë me poezi të shoqin, sidomos sot, kur ata do të festonin 20-vjetorin e martesës së tyre.
Ka sjellë poezitë e tij kushtuar asaj dhe poezitë e saj kushtuar atij.
Se kur fle me shkrimtar, zgjohesh poete, -thotë, ndaj kam shkruar edhe unë për të.
Ajo më reciton në kafe, poezitë e Teodor Laços dhe unë s'di si t'ia them, që në dritare, ne nuk botojmë poezi .
Po pse nuk botojmë vërtet? Pse poezitë e një gruaje që do t'i urojë vetes 20-vjetorin e martesës me burrin e zemrës, që nuk është më, nuk qenkan lajm?
Mbase ne nuk botojmë lajme kaq të bukura se jemi xheloze dhe bosh. Boshllëku mbushet dhe xhelozia qetohet, veç me lajme të zeza, që të paktën jeta jote të të ngjajë gri.
Lajmet për dashurinë na shqetësojnë, ndaj i kemi zëvendësuar.
Por ne të dritare.net, ia hapim dritaren poezisë, dashurisë dhe grave e burrave që dinë të duhen. Faleminderit Mirjana Deti dhe ... ketu ku jemi në mes të grise, mos iu dorëzo kurrë mërzisë!/R.Xh
Poezi nga Teodor Laço, kushtuar Mirjana Detit
M.D
Kush ta dha ty mbiemrin Deti,
që ka në gji kaq thellësi,
që ka në shpirt kaq dashuri,
e mira Anë e detit.
Ku shushurinë vetëm valë
dua të them me mijëra fjalë
për dashurinë që më bën djalë.
Tani kam mbetur rob i detit
tani kësaj ndjenje emrin ia di,
tingëllon bukur, përjetësi
dhe jam i lumtur si asnjeri.
Moskë, 8 mars 2008
MIRËS
Shtatë janar, ditëlindja jote,
viti ka mbetur pa kuptim
për ty, rini që s'ka mbarim
shtatë janar, dita e fatit tënd
dhe lumturisë sime të pafund.
Asaj dite të gjitha ujërat ishin bekuar
dhe ti more në jetë bekimin e tyre,
ashtu ke ecur, e bekuar,
duke derdhur pa kursim mirësinë e bekimin,
dashurinë e mirësisë,
lumturinë e dashurisë,
që fati im më kishte ruajtur, teksa si barkë e braktisur
mbi dallgë endesha
s'di për ku...
Veç një urim për ty kam sot,
për ty që vitet s'të prekin dot,
këtu ku jemi, në mes të grisë,
mos iu dorëzo kurrë mërzisë.
Jetën jetoje çdo orë e çast,
mos e ndal kurrë atë gaz,
që shpirtin tim e drithëron,
dhe netët tona i zbukuron.
Moskë, 7 janar 2000
MIRËS
Dua të gjej fjalë të reja dashurie,
fjalë që askush, askurrë s'i ka thënë,
fjalë të ëmbla, fjalë Perëndie,
se Perëndia ime, ti ke qenë.
Është e pamundur, thua ti.
Dashuria është e vjetër sa bota
e për të janë thënë sa fjalë të ëmbla,
sa fjalë të kota.
Atëherë do të shkoj në botën e alienëve,
që të mësoj gjuhën qiellore,
dhe të kthehem përsëri,
siç vjen një vesë e butë
Kam kërkuar diçka nga jeta
E kam kërkuar përherë diçka nga jeta,
një vit, dy vjet, tre vjet,
dhjetë vjet, njëzet, tridhjetë...
diçka kam gjetur vërtet, e them
një pjesë, dy pjesë, tri pjesë,
që kurrë s'kanë bërë një të tërë.
U shfaqe ti dhe erdhe!
Gjithçka që ishte bosh
gjithçka, që më mungonte
gjithçka, që e kërkoja
gjithçka, që ëndërroja
e kishe dhe e solle ti!
dhe befas, shpresat hapën syrin,
dëshirat hapën krahët
dhe befas... terri u bë ditë
dhe jeta u bë JETË! 12.03.2001
Vetëm për ty
Dhe kur i mundur bije në mërzi
Dhe kur më mposht mendimi i zi
Pranë e më pranë avitesh ti
dhe më dalldis me dashuri.
Dhe në s'më ardhsh më si tani
Dhe në të shtertë kjo dashuri
Eja më gjej nën dhe të zi
të gjallë prapë, vetëm për ty!
18 janar 2002
Të marrë
A nuk jemi të dy pak si të marrë?
dashurojmë si njëzet vjeçarë,
Çdo herë si herën e parë,
A nuk jemi të dy pak të marrë? 19 tetor 2007
Poezi nga Mirjana Deti, kushtuar Teodor Laços
PËR DITËLINDJE
Në sokakët me kalldrëm të Korçës,
dëbora shndriste e kërciste,
tek vrapoja të vija te ti.
Dhe era, bashkë me dëborën,
jehonën e zërit tënd kumbues më sillte:
'Eja Mirë, eja, eja, martohu me mua!
Martohu me mua, me mua...
Do të të marr!
Do të të marr! Do të të marr!
Për Pashkë do të të marr!"
Dhe unë vrapoja,
vetëm vrapoja, drejt teje,
si e marrë!
Moskë, 29 shtator 2006
NUSËRIA IME
Nuk vesha fustan nusërie..
dashuria e harroi ëndrrën me vello, deri në fund..
nuk desha të lëndoj askënd..
Pranvera nuse më stolisi me margaritarë, si në përrallë!
Lulet e kumbullës ishin fustani im!
Lulet e mollës, kurora ime!
Blerim smeraldi, gjerdani im!
Lulet e vathit, diamante, në veshët e mi!
trëndafili i kuq, buzët e mia!
Aromë e jargavanit, parfumi im!
Dhe një tufëz manushaqe, në folenë e shpirtit tim..
Tingujt e kitarës, si fllad lodronin, nëpër ylberin e petaleve
dhe fustani i nusërisë valëzonte e valëzonte pa pushim.
Nusëri e paparë askund,
Modelin nuk ua jap dot!
Pranvera nuk çel njëlloj!
6 janar 2007./ Dritare.net

















