
Pas emisionit në Vizion Plus, Rehova , fshati i mrekullueshëm, shpallet qendër historike
Dritare.net

Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.
Propozimi për shpalljen e Qendrës Historike në fshatin Rehovë synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një qendër e zhvillimit të turizmit në zonën e Kolonjës. Qendra historike ruan vlerat urbanistiko - arkitektonike të fshatit, e cila ruan gjini të ndryshme ndërtimore si: ndërtime shoqërore, kulti dhe banesa popullore. Qendra historike përbëhet edhe nga zonat e gjelbra të përfshira brenda saj.
Qendra Historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth kishës dhe sheshit qendror të fshatit. Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm. Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numer të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.
Por, ja çfarë shkruante Rudina Xhunga për Rehovën, pasi realizoi atje të vetmin emision televiziv për fshatin që i habiti shqiptarët, me qytetërimin që mbante brenda.
“2 km larg Ersekës është Rehova, një lagje qyteti, me një rrugë që dredhon mes pemësh dhe të fut në një atmosfere tjetër, shtëpish prej guri krah për krah, sikur po vallëzojnë. Banorët e Rehovës i bënë njëri-tjetrit një premtim, kur ikën; çdo verë do vijë në fshat një njeri e do të ngrejë një shtëpi. Të ikur në emigracion, nuk e harruan kurrë fshatin, paratë që bënë i sollën po aty. E mbajtën premtimin, fshati u bë. Këtë verë po ngrihet shtëpia e Agim Qirjaqit. Kushëriri i tij i rri në kokë punës, bashkë me mjeshtër Vangjelin, që e ka sjellë nga Greqia, ku shkoi, kur la Rehovën. Serafini ka ardhur nga Finlanda dhe po ringre atë shtëpi dykatëshe, të bukur sa më s’ka, shtëpinë e gjyshit që i ka trashëguar emrin. Do sjell fëmijët, kur të mbarojë, thotë, të luajnë, ku luaja unë, ku qeshja unë, do mbaj amanetin.
Fshati është i rrethuar nga kurora e 23 kishave dhe ata luten për dëshira të ndryshme në çdonjërën prej tyre. Është dorë me një, thonë, sa kemi një hall e dimë ç’kishë na e zgjidh. Si me bimët mjekësore, një për secilën sëmundje.
Gratë e fshatit mburren me petët e likotë dhe pasi ujisin lulishtet në oborret e tyre, ulen e fjalosen në sofa. Ai fshat në buzëmbrëmje nuk është real, është pikturë, është muzikë, është ftesë për të qëndruar e shijuar. Siç venë e kthehen prapë, francezët që e njohin gur e mur. Kur ikin, ata dërgojnë kartolina falënderimi me atë pak shqipe, që kanë mësuar në fshat. Ata e kanë tani fshatin e tyre, një fshat francez në Kolonjë.
Kur shkojnë njerëz, hapen gjithë dyert dhe gratë thërrasin njëra-tjetrën në ndihmë, bëjnë bashkë petët e byrekëve, pjekin mish e tundin dhallë dhe shtrojnë tavolinat në oborret nën pjergull. Që aty nuk iket pa të mbushur me reçel e petulla, që t’i kesh për rrugë.
Nuk ankohen për rrugën se thonë, do të bëhet më mirë. Pastaj, kush do të vijë, vjen e nuk ka rrugë ta pengojë.
Një ditë rruga që të çon në Kolonjë, do të bëhet. Dhe nëse bëhet mirë e nuk prishet edhe e vjetra, kjo zonë, nga Korça në Përmet, do të kthehet në stacionin nr. 1 të turizmit shqiptar. Do ketë resorte, kampingje, hotele, bujtina, pishina, qendra grumbullimi për bimët mjekësore dhe do të konkurrojë turizmin malor, madje edhe do ta kalojë. Derisa kjo të ndodhë, mos e humbisni atë stacion, një fundjavë, kur dielli të djegë dhe deti t’ju djegë xhepin. Po ju duket Thethi larg, e doni të shkoni në mal në gusht, mos lini pa kaluar në juglindje, pa ndaluar. Do provoni ushqimet e do të thoni, po ne çfarë hamë? Do merrni frymë, e do të mendoni, po ne ç’dreq ajri kemi? Do të takoni njerëz, do i bëni miq dhe miq do t’i keni përgjithmonë. Kur të ikni, nuk do të reshtni së treguari për vendin që nuk të mungon kur e lë, sepse ti thjesht nuk e lë dot. E ke me vete, si erën e blirit të Ersekës. /dritare.net

















