
Dritare TV transmetoi sonte një intervistë nga arkiva e gazetares Rudina Xhunga. Emisioni Dritare i vitit 1999, ku Sali Berisha, atëherë kryetar i PD, rrëfeu mbi një nga çështjet më të debatuara të tranzicionit shqiptar, arrestimi i Fatos Nanos.
Sali Berisha, i cili ofroi versionin e tij të ngjarjeve, duke distancuar veten nga çdo akuzë për ndikim politik në arrestimin e Nanos: "Asnjë akuzë nuk i erdhi Fatos Nanos nga Sali Berisha," deklaroi prerazi ish-presidenti. Ai ia atribuoi fillimn e procesit deputetit Shane Korbeci dhe më pas, në mënyrë vendimtare, drejtësisë italiane, e cila, sipas tij, zbuloi një aferë të madhe korrupsioni”.
Berisha theksoi se vendimi për heqjen e imunitetit të Nanos ishte një nga më masivët në historinë e parlamentit, me 104 vota pro, duke përfshirë edhe votat e shumë prej atyre që më vonë u bënë aleatë të Nanos.
Ai pranoi se në proces mund të ketë patur "individë të caktuar" që e nxitën atë në mënyrë të paqytetëruar, por mohoi se ka patur një "tendencë qendrore politike" kundër tij. Duke krahasuar rastin e tij me atë të Nanos, Berisha justifikoi mosparaqitjen e tij në prokurori duke thënë se si ish-president, ai ka të drejtë të përfaqësohet nga avokatët, një e drejtë që e ka ushtruar duke respektuar ligjin. Më tej, Berisha bëri një zbulim të rëndësishëm. Pas zgjedhjeve të humbura, ai pranoi rezultatin dhe i bëri thirrje publike parlamentit të ri që të amnistonte Fatos Nanon.
"Kërko amnisti nga parlamenti. Parlamenti duhet ta amnistojë," tha ai, duke shtuar se për të, si politikan, Nano ishte i amnistuar që në momentin kur fitoi zgjedhjet.
"Ai drejtoi fushatën, ky është kapitull i mbyllur," përfundoi Berisha, duke e ndarë gjykimin politik nga ai ligjor.
Fatos Nano u dënua me vendim të 3 Prillit 1994 me 12 vite burg. Kur Ramiz Alia e thirri për të zëvendësuar Adil Çarçanin, kryeministrin e fundit komunist, Nano me kurajo të madhe pranoi të jetë kryeministri që do të zgjidhej në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Ato zgjedhje i siguruan kryeministrit të ri karrigen e lartë të Kryetarit të Partisë Socialiste. Pushteti i fituar në zgjedhjet e vitit 1991 nuk zgjat shumë dhe revanshi i kundërshatrëve politikë çoi në fitoren e zgjedhjet e 22 Marsit 1992 nga demokratët.
Fatos Nano u akuzua se gjatë atyre 100 ditëve të qeverisjes së tij, me fondin e ndihmave të Qeverisë italiane, kishte shkelur procedurën e blerjes së mallrave, duke diktuar firmën ku do të bliheshin këto mallra. Sipas akuzës, firma “Levante Company”, një kompani italo-jugosllave ishte sjellë në Shqipëri nga Ajdin Sejdia, përfaqësues i Iliria Holding dhe i akuzuar nga demokratët për favore nga Nano dhe Farudin Hoxha.
Perceptimi publik i kohës ishte se po pregatitej arrestimi politik i kundërshtarit. Fatos Nano do të arrestohej në zyrën e prokurorit Fatos Dervishi më 30 Korrik 1993.
Burgosja e Nanos e ktheu atë në një hero te mbështetësit socialiste. Fatos Nano e la qelinë në ngjarjet që çuan në rënien e shtetit, shkatërrimin e ushtrisë dhe pragun e një lufte civile të Marsit 1997, pas një amnistie politike që pushteti i Berishës bëri pas presionit opozitar dhe ndërkombëtar. Ai u rikthye triumfator dhe lider i padiskutueshëm i vendit në zgjedhjet e 1997-ës. Ai nuk u hakmorr kurrë ndaj Berishes.
Shprehja e tij më e famshme pas marrjes se pushtetit, që e karakterizon pushtetin e Nanos, është në një interviste për gazetaren Rudina Xhunga, kur i thotë; Jo me, as, as. Por edhe, edhe!/ dritare.net

















