

Skanderbeg Books, peshon po aq sa emri që mbart. Ka atë peshë që shumë pak shtëpi botuese e kanë. Veprën e mirë dhe autorët më të famshëm në letërsinë ndërkombëtarë bashkëkohore i gjeni të mbledhur në një vend.
Pastaj është Flutura Açka. E si mund të mos ndalosh e t’iu hedhësh një sy librave të saj, teksa ajo gjendet e gatshme për të dhënë autografe, për të shkëmbyer disa fjalë e për të të falenderuar që zgjodhe, librin apo autorët e saj. Flet me aq patos, pasion e dashuri për librin, saqë të vjen të urresh veten, që nuk ke ditur të zgjedhësh, se çfarë duhet të lexosh. Për këtë panair, Skanderbeg Books, ka shumë çfarë ofron.
Açka tregon për Dritare.net, se ka sjellë botime të reja, të autorëve tashmë të bërë të njohur nga kjo shtëpi botuese.
“Kam sjellë libra të rinj të autorëve, që tashmë lexuesi i njeh. Kam sjellë një roman të “Martesë me një komunist”, të Philip Roth, një libër që çdo shqiptar duhet ta lexojë. Ka një lidhje me Shqipërinë, për shkak të së kaluarës sonë.
Kam sjellë një libër të ri të Doris Lesing, “Sërish dashuri”, që në mënyrë koinçidenciale, ka ardhur tamam në kohë e duhur. Flet për dashurinë mes një gruaje 65 vjeçare me një djalë të ri dhe pikëpyetjeve në ajo ka. Janë reagime që i ndodhin një gruaje në këtë moshë, të shprehura mjeshtërisht nga dora e autores.
Kam sjellë një libër të ri të Jonathan Franzen, një nga autorët më të mëdhenj amerikanë të ditëve tona, me veprën e tij madhështore “Liria”, dhe kam sjellë romanin e fundit të botuar në origjinal nga Mario Vargas Llosa, nobelist i vitit 2010, libri që nuk është përkthyer ende në të gjitha gjuhët e botës dhe ka ardhur shumë shpejt në shqip.”
Skanderbeg Books, nuk i mungojnë as autorët në shqip. Janë nga ata autorët e rrallë që i gjen me kokrra, por për të cilët letërsia shqipe ka nevojë. Açka tregon, se boton autorë të cilët mund të rrinë mjaft mirë mes “bishave letrare”, siç i quan ajo autorët e përkthyer në shqip.
“Unë njihem në përgjithësi si autore e letërsisë së huaj bashkëkohorë, por më pëlqen dhe botoj autorë shqip. Botoj Adriatike Lami, e cila vjen me veprën e dytë të botuar në Skander Books, “Buri që më do mua”. Një libër i ngrohtë, i dashur, me poezi që janë vërtet për t’u admiruar. Sjell gjithashtu Dhimitër Ponjaku, një autor i shkëlqyer, botoj ekskluzivisht Arbër Ahmetaj dhe botoj Fluturën. Botoj pak autorë, sepse s’dua të shes libra, dua t’iu jap autorë lexuesve.”
Kur je para stendës Skanderbeg Books, të ngjan sikur ndodhesh në shtëpinë botuese të nobelistëve. Mjafton të shtrish dorën e të kapësh. Nuk ka rëndësi çfarë. Çfarëdo që të jetë, do të jetë shumë e vyer e që duhet të lexohet me patjetër. Flutura Açka tregon se ka një projekt ambicioz, për të sjellë atë që ajo e quan Kanuni i Saknderbeg Books.
“Ka qenë e vështirë për ta bindur lexuesin që Skanderbeg Books është një shtëpi botuese ku duhet t’i mbyllësh sytë mirë dhe të zgjedhësh, pa frikë se ku e vë dorë. Kjo ka qenë shumë e vështirë dhe ka kërkuar shumë investim. Nuk janë autorë bestseller, mund të jenë të tillë në kuptimin që shesin në mënyrë të vazhdueshme, por nuk ta japin investimin drejtpërdrejtë, siç kemi ne nevojë në kushtet shqiptare.
Unë kam disa vepra të cilat kam dëshirë t’i ribotoj një ditë, ndoshta pas një viti apo dy vjetësh, duke i bërë Kanuni i Skanderbeg Books. Aty do të vendos 10 libra, që mendoj se janë thelbësorë të kë kësaj shtëpie botuese dhe që unë të ndjehem e qetë që ia kam sjellë lexuesit shqiptar. Mes këtyre librave do të përmendja: “Rrëfim për dashurinë dhe erësirën”, të Amos Oz, “Unë jam e kuqja”, të Orhan Pamuk, “Kronika e zogut të kurdisës”, të Haruki Murakami, “Festa e cjapit” e Mario Vargas Llosa, “Lolita”, e Vladimir Nabokov, “Thërrmijat elementare” të Michel Houellebecq, janë vepra që unë i quaj Kanunin e Skanderbegut.”
Açka tregon se lexuesit që i drejtohen stendës së Skander Books, nuk janë të painformuar. Nuk shkojnë as për të pyetur dhe as për rekomandime. Shkojnë lexues që e kanë vendosur se çfarë të blejnë. Prandaj, ajo ka vendosur që t’i mirëpresë në stendën e panairit, në shenjë falenderimi, që zgjedhin atë dhe librat e saj.
“Unë jam admiruese e librit dhe kam nevojë të jem afër lexuesit shqiptar, si një mundësi për ta përshëndetur, për t’i thënë faleminderit qoftë dhe lexuesit tim personal. E kam detyrim që për 5 ditë t’i them faleminderit, pasi këtu mund të më gjejë, në librari s’më takon dot. Këtu vijnë lexuesit personal që kërkojnë librat e mi. Faktin si autore e përdor pikërisht për të takuar lexuesin personal, për ta falenderuar që ka lexuar librat e mi.”
Për herë të parë në këtë panair vjen edhe libri, “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, në vazhdën e titujve mjaft të lexuar që ka sjellë Açka. Ajo tregon, se aty trajton temën e emigracionit, largimit dhe rikthimit të tyre në atdhe, dhe si priten ata nga bashkatdhetarët e tyre.
“Është një libër shumëplanësh, por sigurisht që unë merrem me shtegtimin e 1.5 milionë shqiptarëve, gjatë 27 viteve të fundit, beteja për identitet, zhguni i identitetit etnik shqiptarë, përballë një identiteti që kërkon hapje, kërkon integrim. Çfarë ndodh me shqiptarët, a ka ndodhur ndonjë metarfozë me ta, a vijnë ndryshe në Shqipëri, apo vijnë po ata shqiptarë, me po atë dhimbje, a është Shqipëria atdheu i bardhë, apo është një pjesë e mallit të tyre, politika sot, si i pret atdheu, a është mikpritës apo thjesht ti thërret emigrantë dhe i jep vetëm reportazhin në doganat shqiptare, kur vijnë dhe kur ikin dhe mbush bankat me paratë e tyre dhe harron që këta janë një pasuri kaq e madhe, që është diaspora e nesërme, që është pasuri që do të mbështesë, qoftë edhe nëpërmjet lobimeve.”
Sipas saj, të sjellësh një vepër, nuk ke sjellë asgjë, pasi nuk mund të gjykohet autori me një vepër. Prandaj ajo synon të sjellë korpusin letrar, nëpërmjet të cilave lexuesi ka mundësi ta gjejë autorin në të gjitha dimensionet e veta. Flutura Açka ka vetëm një këshillë për lexuesit: “Mos hezitoni të njihni autorët që deri tani kanë qenë të panjohur”. Të paktën, për sa kohë qëndroni para kësaj shtëpie botuese. Ka vërtet për të mësuar prej rrëfimeve të autorëve që ndodhen aty. /Dritare.net

















