
Zbardhen procesverbalet e përjashtimit të Sali Berishës
Dritare.net
Dritare ka siguruar procesverbalet e kryesisë së PD ku u përjashtua Berisha. Ja një pjesë e tyre:
Lulzim Basha: Të nderuar anëtarë të kryesisë, së pari jemi të sigurt që i kemi mbyllur dyert mirë?
Gaz Bardhi: Po po shef, i dubluam dyert dhe kemi vendosur mina surprizë tek dorezat për ata që duan të hyjnë pa lajmëruar. Kemi minuar edhe hyrjen nga dritarja e banjave nga hynë herën e fundit dhe kemi sjellë nga një oturak për zyrë në rast nevoje.
Basha: Shumë mirë. Të gjithë me maska kundra gaz jeni.
Bardhi: Po po. U vendosëm filtra të rinj.
Basha: Është e hapur linja me policinë e shtetit.
Bardhi: Po shef, Gledis Nano na ka dedikuar një numër të kuq me lidhje direkte.
Basha: Atëherë fillojmë me rendin e ditës. Pika e parë është ku jemi me sistemet e fortifikimit të selisë. Por më duket se kjo pikë u konsumua.
Pika e dytë, ka lidhje me studimin e materialeve të kongresit të 18 dhjetorit. Si është situata?
Bardhi: Materialet i kemi shpërndarë nëpër organizatat bazë dhe po studiohen me laps në dorë. Çdo paqartësi po sqarohet nga shokët e kryesisë.
Basha: Tani do diskutojmë për tentativën për puç të Sali Berishës dhe elementëve antiparti. Kemi mbledhur materiale që tregojnë për punën sabotuese të këtyre elementëve. Çfarë ankesash kanë shokët?
Salianji: Mua sa herë më shikonte Saliu me thoshte “hë buçko ç’kemi” dhe më kapte nga faqet. Kjo më ka penguar të zhvilloj personalitetin tim.
Basha: Shumë e rëndë kjo. Shënojeni!
Alibeaj: Edhe mua sa herë më shikonte më thoshte “hë mor ballist, si shkojnë punët?”.
Basha: Kjo është akoma më e rëndë. Të mbahet shënim nga grupi për dekomunistizimin e politikës dhe krimet e komunizmit.
Duma: Të gjitha këto tregojnë për qëndrimin seksist të kolegut Berisha i cili nuk na e varte ne femrave vetëm në rastet kur na shante si lavire.
Basha: Shumë e drejtë kjo, por e ka bërë kur nuk isha unë, se në sy tim nuk ja mbante.
Bardhi: Edhe unë kam vërejtje. Sa herë më shikonte më shkelte syrin dhe më thoshte “hë mor ti, ç’kemi, ç’thuhet ndonjë gjë nga shoqata?”
Basha: Nejse, besoj e kishte llafin për shoqatën e juristëve.
Tani kalojmë në pikën e spastrimeve. Propozoj përjashtimin e Sali Berishës. Jemi dakord? Dakord. Përjashtimin e Tritan Shehut. Dakord. Përjashtimin e Edi Palokës. Dakord. Përjashtimin e Genc Pollos. Dakord. Përjashtimin e Edi Palokës. Dakord…….
Nga Salla: Shef a ka mundësi…..?
Basha: Je e përjashtuar edhe ti.
Nga salla: Shef, unë jam pastruesja, desha të them që ka mbaruar klori.
Basha: Nuk ka justifikime këtu. Edhe ti je e përjashtuar/dritare.net

















