

Nga Fjorda Llukmani Që kur jetoja në Turqi para 4 vjetësh e kuptova sa shumë ngjashmëri kemi me kulturën e tyre. Ose më saktë kemi të njëjtat gjëra. Ama këtë verë isha e ftuar speciale në dasmën e mikeshës sime të ngushtë në një qytezë të Izmirit dhe mbeta e surprizuar! Jo vetëm prej traditave të njëllojta, por edhe mënyrës sesi sillen njerëzit në festime të tilla. Shoqja ime është gjysmë holandeze e gjysmë spanjolle, ka jetuar në Londër rreth 20 vjet e në Stamboll prej 6 vjetësh ku dhe ra në dashuri me një turk. Mbase keni idenë që meshkujt turq janë fanatikë e mendjembyllur, por jo të gjithë. Megjithëse jetojnë në Stamboll, familja e dhëndrit kishin dëshirë ta bënin dasmën në qytezën e tyre në Bergama të Izmirit. Kjo për shkak se fisi dhe ata që duhej të vinin për qokë s’mund të vinin aq larg. Meqë shoqja ime është e huaj dhe shoqëria e saj vjen nga e gjithë bota, u përpoq të bënte një miksim të dasmës tradicionale turke dhe paksa moderne.
Nisem nga Vjena dhe takohem në Izmir me Jonën, që erdhi nga Tirana. Ishim të ftuara çift dy shoqe ngatërrestare bashkë.
Mikesha ime që martohej na porositi të silleshim sa më mirë në dasmë që mos të bëheshim objekt bisede për krushqinë. Madje ne kishim një mision të rëndësishëm, të ulnim njerëzit nëpër tavolina. Ishte ndër punët më të vështira që kam bërë ndonjëherë kur vjen fjala për organizim eventesh. Ia qaj hallin shumë atyre që merren shpesh me këtë punë. Bergama është qytezë historike me pak banorë. Le të themi për përmasat e Turqisë, zëre se dasma po zhvillohej në Lushnjë.
Problemi në organizim qëndronte në faktin se në ceremoninë e çiftit do të vinte gjithë lagja, ndërse në darkë vetëm disa të ftuar të afërm. Me pak fjalë të gjithë janë kuriozë të shohin festime të tilla e vijnë për të uruar familjen. E si do t’i përzienim ne njerëzit e paftuar më vonë? Rrëmuja filloi që sa erdhën personat e parë. Njerëzit e lagjes mazalla se uleshin në tavolinat që kishim caktuar për ta. Le që mezi merreshim vesh njëherë, ata turqisht unë gjysma-gjysma me aq sa di. Mamaja e dhëndrit më shihte me inat dhe në krahun tjetër ajo e nuses më thoshte “Fjorda dikush është ulur në tavolinën time, mund t'i thuash që të largohet të lutem?” O Zot çfarë gallate u krijua! Kështu është kur mikson kulturat. Si përfundim me urdhër të nuses e vjehrrës së saj u vendos që secili të ulej ku të donte, e më vonë do t'u thoshin që është planifikuar darkë vetëm për familjarët. Çifti doli me muzikë turke në sfond. Të dy ishin veshur aq thjeshtë dhe bukur. Dhëndri kishte veshur kostum, por me atlete. Ndërsa nusja fustan ngjitur pas trupit me të cilin ishte kollaj të kërceje.
Dasma zhvillohej jashtë në kopshtin e hotelit me pamje nga e gjithë Bergama. Kur i thanë ‘Po’ njëri-tjetrit nuk i mbajta lotët megjithëse e mbaj veten për vajzë të fortë.
Duke qenë se kam qenë ndër dëshmitarët e parë të lidhjes së tyre, s’kishte gëzim më të madh t’i shihje bashkë.
Vetëm t’i shikoje si na shihnin këta të lagjes, sidomos shoqërinë e nuses që ishim të gjithë të huaj. Kur i thashë xhaxhait të dhëndrit “Jam Arnaut” ai ma ktheu “Po qysh je?”. Ngela me gojë hapur, por pastaj u kujtova që babai i dhëndrit, i cili nuk jetonte ishte me origjinë shqiptare. Pas dasmës mamaja e tij më tha që burri gjithmonë i thoshte “Byreku si recetë u shpik në Turqi ama shqiptarët e bënë më të mirë." -"Përveç kësaj gatuaj edhe të brendshme.”,- më fliste ajo me lot në sy. Gjithsesi le të kthehemi te pjesa e gëzuar e dasmës. Pas premtimit filluam të kërcenim muzikë tipike turke alla napolon. U çuam të gjithë përveç syreshëve që na ndiqnin në çdo lëvizje. Çifti preu tortën pastaj shpërndau ëmbëlsira. Pastaj u vunë në rresht të dy bashkë me familjen e dhëndrit me shaje të bardha në qafë, duke pritur njerëzit për t’u dhënë dhurata. Zakonisht dhurojnë pllaka të vogla ari ose floriri, që çifti të mund t’i shesë në një moment të jetës kur rritet çmimi i tyre. Disa vendosin edhe lekë me gjilpërë kapëse.
Kështu pas rreth një ore e pak që kishte filluar dasma, u përcollën njerëzit ‘e paftuar’ le të themi. Po pse a çoheshin disa prej tyre? Mazalla more ej! Megjithëse dikush u tha me mikrofon që ka ardhur koha e tyre për të ikur, rrinin e shikonin me kuriozitet çfarë do të ndodhte. Aty më vjen prapë mamaja e nuses e më thotë: “Fjorda po këta pse nuk ikin?” Më vinte për të qeshur aq shumë... I thashë një shoqes time turke që t'i largonte me stil, pasi nuk kam fjalor për turqishte diplomatike.
Dasma e vërtetë e çiftit filloi në orën 7 dhe hapjen e bëra unë.
Dhëndri i stresuar më thoshte: “Fjord dëgjo do të thuash që të ulen të gjithë se tani është koha e kërcimit të çiftit bla, bla, bla”. “Ore unë gazetare, ti do më mësosh çfarë të them? Rri shijo aty ditën tënde atë bëj.”,- i jepja zemër. Kuptova se në të vërtetë çiftët nuk e shijojnë aq shumë ditën e tyre të dasmës, se e kanë mendjen për të parë a po kënaqen të tjerët.
Ushqimi përfshinte meze edhe gjëra të tjera, por jo mish e budallallëqe me bollëk. Në disa tavolina kishin marrë porosi që mos të servirej alkool. Me shaka i thosha kamerierit: “Shishet e rakisë që do t'ua jepje atyre, kaloi te tavolina jonë”. Çdo gjë shkoi aq qetë dhe aq bukur, pa i marrë gjërat me vrap si për shembull o burra hajde kërcejmë. Dasma ishte konceptuar edhe për të folur me njëri-tjetrin e në disa raste ulej muzika. U kërcye dhe muzikë spanjolle me shoqet e nuses e me ç’kuptova, Holanda s’paska tradita dasmore.
Kulmi i kulmeve në dasmë ishte rreth orës 10, kur një prej shokëve të dhëndrit këndoi muzikë live popullore rreth gjysmë ore. Dikush i binte klarinetës e tjetri dajres. Jo të kërcyer që kemi bërë unë me shoqen time shqiptare, por ç’të them. Vetëm të shikoje anglezë e holandezë duke kërcyer me duar hapur. Morëm komplimente dhe nga plakat e krushqisë. “Sen arnaut?” (A je shqiptare?) – më thotë njëra prej tyre kur po kërcenim në grup në kulmin e qejfit. Fillova duke i treguar se nga isha ndërkohë u mblodhën dhe dy plaka të tjera për të marrë vesh çfarë flisnim. “Edhe unë arnaut jam.”,- thotë njëra prej tyre. “Ti dhe shoqja jote qenkeni shumë simpatike ngaqë keni gjak shqiptar.”,-ma bënte qejfin tjetra.
Në fund ishte rezervuar dhe pak muzikë moderne, ku luajti një prej shokëve të nuses që ka punuar DJ në Londër. Dasma u mbyll rreth orës 12:30. “Ta mbyllim tani para se të fillojnë kushërinjtë e mi të kërkojnë preferenca muzikore se janë bërë super tapë.”,-më thoshte dhëndri. E në fakt pati të drejtë. Dihet muhabeti si shkon po ju prish qejfi dikujt. Isha e lumtur që u mbyll me aq e nuk vazhdoi si te ne, si maratonë. Kjo dasmë, ka qenë më e bukura që kam marrë pjesë ndonjëherë. Kjo sepse më ngjau shumë me dasmat tona, por më e moderuar edhe e thjeshtë.
Për të festuar dashurinë s’ka nevojë për harxhime të tepërta, mjafton të keni pranë njerëzit e duhur./dritare.net

















