
Nga Musli Krasniqi
Është praktikë e mirënjohur botërore që burrështetas apo edhe politikanë të niveleve më të ulëta drejtuese, pas tërheqjes nga politika aktive t’i lënë publikut memoriet nga veprimtaria e tyre jetësore.
Kryeministri i disahershëm i Shqipërisë, themeltari i së majtës së reformuar shqiptare, por edhe siç shumëkush e quan, reformatori i politikës shqiptare, Fatos Nano, iku, me gjasë, pa lënë rrëfimin e tij të plotë.
Ishte ndoshta njeriu që kishte më së shumti çfarë të fliste. Në raport me Shqipërinë. Në raport me Kosovën. I vlerësuar deri në piedestal dhe njëkohësisht i kritikuar skajshmërisht, deri në demonizim, Nano për të gjallë të tij nuk denjoi të merrej seriozisht me asnjërën palë.
Thonë se foli pak por bëri shumë për Kosovën. Por ai vet s’e tha të gjithën. Përballë kësaj të panjohure, të paktën për publikun e gjerë, Nano vazhdon të mbetet një figurë politike me portret të papërfunduar plotësisht.
Në Kosovë Fatos Nano kishte mbështetësit e tij, ashtu siç kishte jodashamirësit. Për vite me radhë nga segmente të caktuara politike e mediale, në Shqipëri e Kosovë, publiku shqiptar u ushqye me propagandë të skajshme që mëtonte të përbaltte figurën e tij në raport me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Për të tjerët që e njohën dhe bashkëpunuan me të, ai kishte rol kyç në vënien e raporteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Perëndimin. Për rrjedhojë, konsiderohet njëri nga kontribuesit e mëdhenj të lirisë së saj.
Ashtu siç ishte, siç dinte dhe donte të ishte shpesh, mistik dhe i mjegullt deri në fund, i tillë iku.
Rrëfimin që ai vet s’e dha, nuk ditëm t’ia marrim plotësisht, duke përjashtuar Rudina Xhungën dhe në një masë Blendi Fevziun.
Tani atë duhet ta japë të plotë historia. Në kohën e vet. Më dëshmi dhe fakte konkrete./dritare.net