Na ndiqni edhe në

Opinione

Pse disa nazistë shpresonin që Hitleri s’kishte vdekur?

Pse disa nazistë shpresonin që Hitleri s’kishte vdekur?

Nga Kreshnik Spahiu

Adolf Hitleri vrau veten në bunkerin e tij më 30 prill 1945. Dëshmitarët okularë — njerëzit më të afërt të tij — dhanë dëshmi të qarta për mënyrën e vetëvrasjes. Megjithatë, për dekada me radhë, mijëra nazistë refuzuan ta besonin këtë fakt dhe ushqyen shpresën se ai kishte shpëtuar e jetonte i fshehur diku në Argjentinë, Brazil, madje edhe Antarktidë. Fanatikët nazistë nuk pranonin lehtë që “Führer-i” i tyre kishte humbur jetën; besimi se ai ishte gjallë i ndihmonte të ruanin iluzionin e ideologjisë që i kishte udhëhequr.

Kjo më erdhi ndër mend kur pashë 300 demokratë në protestën e Sali Berishës.

Pas 6 muajsh thirrjesh dhe përgatitjesh për një “Revolucion madhështor”, ai mblodhi më pak njerëz se në “xhenaze”. Askush nuk iu bashkua sepse shumica e konsiderojnë të vdekur politikisht. Mbi 1 milion shqiptarë sot janë kundër qeverisë, por nuk dolën në shesh sepse për ta, berishizmi është një kapitull i mbyllur. Atje ishte vetëm gjenerali i ushtrisë së vdekur.
Aty ishin vetëm 300 “ushtarët” e fundit, të cilët as brohoritën e as treguan entuziazëm. Protesta, apo më saktë foltorja, dukej si një funeral. Një grusht njerëzish, të trishtuar, ndiqnin aktin e fundit të “Führer-it” të tyre që nga bunkeri i tij politik përpiqej t’u jepte kurajo se ende nuk kanë kapitulluar dhe se do t’i mundin Amerikën, Anglinë, Europën e madje edhe Rusinë.

Thirrja e fundit e një udhëheqësi ndodh gjithmonë pak para rënies, ndërsa shpresa e ushtarëve vazhdon shpesh edhe pas rënies së tij. Në fshatrat e Matit, deri vonë, kishte njerëz që besonin se mbreti Ahmet Zogu nuk kishte vdekur dhe se një ditë do të kthehej në Shqipëri. Edhe në Gjirokastër kam takuar komunistë që besonin se Enver Hoxha nuk kishte vdekur, se njeriu në funeral ishte sozia e tij dhe se udhëheqësi i tyre i vërtetë ishte i pavdekshëm.

Njësoj si nazistët, komunistët apo monarkistët që presin ende ringjalljen e Hitlerit, Enverit apo Zogut, disa demokratë sot shpresojnë që Sali Berisha të kthehet fuqishëm në skenë.

Por pjesa më e prapambetur e një populli nuk kupton — ose nuk pranon — se ideologjia nuk vdes njëkohësisht me njeriun.
Edhe sikur Hitleri, Enveri apo Zogu të ishin gjallë, doktrina e tyre kishte vdekur. Sali Berisha, le të jetojë 150 vjet; por berishizmi ka mbaruar politikisht. Problemi është se, nëse ai nuk shpall kapitullimin, Partia Demokratike rrezikon të ketë fatin e Gjermanisë së vitit 1945: të një udhëheqësi që nuk pranoi humbjen dhe dogji gjithçka bashkë me veten, duke sjellë mbi 8 milionë viktima nga populli i tij. Çdo rezistencë e mëtejshme e Berishës nuk do të shpëtojë PD-në — përkundrazi, do ta shkatërrojë atë, do të djegë çdo kauzë dhe do të vrasë shpresën e 500 mijë demokratëve.

William Shakespeare e ka përshkruar saktë kur citon se: “Mbreti është i vdekur, por fantazma dhe hija e tij sundon kështjellën.”

Demokratët duhet dalin nga bunkeri dhe mos u digjen bashkë me Hitlerin e tyre.
Lëreni të vdesë duke ëndërruar se fitoi luftën me Amerikën, me Anglinë, me ……./dritare.net