
Nga Murat Aliaj
Diku lexova një lajm për një fshat në Greqi në të cilin banonin 150 njerëz, mes të cilëve nuk kishte asnjë fëmijë. Të tilla lajme më ndodh të lexoj dendur.
Lajm i zakonshme për botën, por fatmirësisht akoma jo, për vendin tonë, i cili gjithashtu po ecën në këtë rrugë shkretimi.
Duke qenë se sa jam kthyer në Atdhe, pas një kohe të gjatë mërgimi, e para gjë që më ra në sy, ishte prania e fëmijëve të shumtë, gumëzhima jetëdhënëse e tyre. S’kish si të mos me binte në sy kjo gjë, kur në pallatin 5 katesh ku jetova ne Athine, kishte vetëm dy fëmijë, fatkeqësisht njeri prej tyre ishte budalla dhe një ditë u hodh nga sipër e humbi jetën. Kurse këtu ndesha në ankesat e njerëzve që bezdiseshin nga britmat dhe haretë e fëmijëve.
Askush nuk e di sa fëmijë ka rreth e rrotull, se numërimi përdoret për bagëtitë, por duhet pranuar që ka shumë. Pallati ynë në formën e germës U, në çdo kat ka katër hyrje e në çdo hyrje, ka me tepër se dy fëmijë. Poshtë në hyrje të pallatit ka një shesh të zbukuruar me lule e pemë që harlisen tani në pranvere. Nën hijen e tyre ka vendosur tavolinat e shërbimit një lokal ku mblidhen e pinë kafen pleqtë e moshës sime. Kam kohë që nuk e pi kafen me ta, sepse herën e fundit, nga fëmijët që luanin përqark, na erdhi një top qe na i përplasi filxhanët në fytyrë e na bëri për faqe të zezë.
Hakmarrje më të merituar se kjo s’do të kishte, pasi nga pleqtë që pinë kafen, duhet të ndodhet ndonjë nga ata qe i aprovoi këto banesa dhe harroi të këmbëngulte për ndërtimin e këndeve të lodrave.
Nisi prapë ankesa e përditshme për fëmijët që luajnë rreth tavolinave, e na e çojnë kafen pas shpinës. Kështu lindi edhe ajo pyetje që mbetet akoma pa përgjigje: Është i pleqve ky shesh, apo i fëmijëve? Unë ngel këmbë se sheshi u përket fëmijëve, derisa për ta nuk është menduar për t’u bërë kënd lodrash. Bota e qytetëruar, në çdo bllok pallatesh që ndërton, nuk harron ta mbyllë duke ndërtuar këndin e lodrave fëmijnore. Madje ka plot vende të dala nga lufta shkatërrimtare që rindërtimin e vendit e fillojnë nga këndet e lodrave. Kjo nuk është vetëm simbolikë e mrekullueshme, por në radhë të parë është respekt për te nesërmen, për ata që s’kanë fuqi të ndërtojnë vet e as të protestojnë.
Nuk besoj se jam i pari që e ngre këtë problem. Tirana ka shumë blloqe pallatesh, me një arkitekture dhe cilësi të admiruar, të cilëve u mungojnë mjediset zbavitëse të fëmijëve.
Kjo kambanë duhet të bjerë fort këto kohë kur horrat e politikes vrasin mendjen për të gjetur kauza e për të goditur njëri-tjetrin. Këtu nuk është nevoja për shtirje e për protesta. Mjafton ndërgjegjësimi dhe mosaprovimi i asnjë projekti ndërtues që nuk përfshin këndet e lodrave./dritare.net

















