Diplomacia e Pavarësisë: tri telegrame historike të panjohura nga arkivat gjermane
Dritare.net

Nga Marenglen Kasmi
Me rastin e 28 Nëntorit, shpalljes së pavarësisë, po botojmë për herë të parë nga Arkivi Politik i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tri dokumente, të cilat hedhin dritë mbi rrethanat diplomatike që shoqëruan shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Dokumenti i parë është një telegram falënderimi që Faik Konica, Fan Noli dhe Naum Cere i dërguan Perandorit gjerman më 18 nëntor 1912, dhjetë ditë para shpalljes së pavarësisë, dhe dy telegrame të tjera, që Ismail Qemali ia dërgoi ministrit të jashtëm të Gjermanisë, - më 29 nëntor 1912, ku e njoftonte zyrtarisht për shpalljen e pavarësisë dhe më 25 dhjetor 1912, - ku ai kërkonte mbështetjen e qeverisë gjermane.
**
Shpallja e pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 është një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Akti i ngritjes së flamurit kombëtar, përveç solemnitetit të tij, shënonte njëherazi edhe fillimin e përpjekjeve për të siguruar njohjen, mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Në atë kohë dramatike, kur ushtritë serbe, greke dhe malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të trojeve shqiptare dhe kur vendimet për të ardhmen e Ballkanit, - sidomos të Shqipërisë, - po diskutoheshin në kancelaritë e Evropës, diplomacia u bë arma më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare.
Në këtë mozaik të ndërlikuar të diplomacisë europiane, Gjermania kishte një rëndësi të veçantë, çka vlente sigurisht edhe për çështjen shqiptare. Ndryshe nga fuqitë e tjera që kishin interesa të drejtpërdrejta territoriale apo politike në Ballkan, Berlini nuk kërkonte territore, as ndikim të drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë. Gjermania shihej nga patriotët shqiptarë si një fuqi e madhe neutrale, e drejtë dhe e respektuar, me ndikim të konsiderueshëm në arenën ndërkombëtare dhe sidomos mbi aleaten e saj të ngushtë, Austro-Hungarinë, - shpresën dhe njëherazi mbrojtësen kryesore të aspiratave shqiptare. Për shqiptarët, Gjermania përfaqësonte një derë të sigurt diplomacie, një zë të fuqishëm që mund të balanconte pretendimet e shteteve fqinje dhe të ndihmonte në njohjen e shtetit të ri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Kjo ishte arsyeja pse si diaspora shqiptare në SHBA, ashtu edhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës, iu drejtuan pikërisht Berlinit në ditët vendimtare të lindjes së shtetit shqiptar.
Më poshtë paraqesim tri telegrame të gjetura në Arkivin Politik në Berlin (R 013384), të cilat së bashku hedhin dritë mbi diplomacinë shqiptare brenda dhe jashtë vendit në kohën e themelimit të shtetit shqiptar. Këto tri dokumente mund të vlerësohen si një përpjekje e sinkronizuar, e ndërgjegjshme dhe e guximshme që bashkonte diasporën shqiptare me Vlorën në një mision të përbashkët historik: afirmimin ndërkombëtar të shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e të drejtave në momentin më të rrezikshëm të fillimekzistencës së tij.
Dhjetë ditë para shpalljes së Pavarësisë, më 18 nëntor 1912, patriotët shqiptarë në SHBA Faik Konica, Fan S. Noli dhe Naum Cere, në emër të mërgimtarëve shqiptarë, i dërguan një telegram nga Bostoni Perandorit të Gjermanisë. Në këtë mesazh të shkurtër ata shprehnin falënderimet ndaj Gjermanisë për mirëkuptimin dhe mbrojtjen ndaj kombit shqiptar, duke theksuar aspiratat e shqiptarëve për bashkim dhe vetëvendosje. Ky dokument dëshmon angazhimin e hershëm dhe të vetëdijshëm të diasporës shqiptare në përpjekjet për afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si pjesë e një veprimtarie më të gjerë që komunitetet shqiptare në vende të ndryshme të botës kishin ndërmarrë në mbështetje të të drejtave kombëtare.
Më poshtë telegrami:
“Shërbimi Telegrafik i Perandorisë Gjermane
Marrë: ora 10.18, datë 18.11
Nr. 48, Kiel, Madhërisë së Tij, Perandorit, Gjermani
Dërguar: Boston Mass., viti: 1912, 18.11., via anglo–anvers
Madhërisë së Tij, Perandorit
Kiel
Patriotët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, të mbledhur në Boston nga të gjitha anët e vendit, i paraqesin Madhërisë Suaj falënderimet më të respektuara për mbrojtjen e dhënë kombësisë shqiptare.
Populli shqiptar do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë.
Rroftë Madhëria Juaj, rroftë Gjermania.
Faik Bej Konica
At Fan Noli
At Naum Cere”

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali, si kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, i dërgoi Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë një telegram ku e njoftonte zyrtarisht për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, formimin e qeverisë kombëtare dhe i kërkonte Gjermanisë të merrte në konsideratë pozitën dramatike të shtetit të ri shqiptar, i cili rrezikohej nga ushtritë fqinje dhe nga copëtimi i territorit.
Ky dokument është dëshmi e ndër të parave artikulime të shtetit shqiptar në arenën diplomatike europiane. Telegrami është shkruar me një ton serioz e gjuhë të lakmueshme diplomatike, çka e parqet qeverinë shqiptare dinjitoze dhe të vetëdijshme për përgjegjësinë e saj kombëtare.
Më poshtë teksti i plotë i telegramit: “Asambleja kombëtare, e përbërë nga delegatë të gjitha krahinave shqiptare, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, sapo ka shpallur pavarësinë politike të Shqipërisë dhe ka formuar një qeveri të përkohshme të ngarkuar të mbrojë të drejtën e ekzistencës së popullit shqiptar, i kërcënuar me shfarosje nga ushtritë serbe, dhe të çlirojë tokën kombëtare të pushtuar nga ushtritë e shteteve aleate. Duke e vënë në dijeni Shkëlqesinë Tuaj për sa më sipër, kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij Perandorake që të ketë mirësinë të njohë këtë ndryshim në jetën politike të kombit shqiptar.
Shqiptarët, të cilët bëjnë pjesë në familjen e popujve të Evropës Lindore dhe krenohen se janë ndër më të vjetrit e saj, nuk ndjekin tjetër qëllim veçse të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike dhe të bëhen një element ekuilibri; ata janë të bindur se Qeveria e Madhërisë së Tij Perandorake, ashtu edhe mbarë bota e qytetëruar, do t’u rezervojnë një pritje mirëdashëse duke i mbrojtur kundër çdo cenimi të ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre.
Presidenti i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemal Bej.”

Disa ditë më vonë, më 25 dhjetor 1912, Ismail Qemali i dërgoi një telegram të dytë Berlinit, tashmë me një ton urgjent dhe me kërkesë për ndërhyrje humanitare. Lufta greko–osmane që zhvillohej në territorin shqiptar kishte shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, kishte shkatërruar fshatra e qytete dhe kërcënonte me epidemi e uri. Ismail Qemali paralajmëronte se vazhdimi i veprimeve ushtarake mund të zhdukte edhe ato zona të pakta shqiptare që mbeteshin ende të pacenuara. Mesazhi i tij përmbante një thirrje të drejtpërdrejtë për ndërhyrje ndërkombëtare, duke besuar te drejtësia e Gjermanisë dhe e Fuqive të Mëdha.
Ky dokument përforcon rolin e Ismail Qemalit si burrë shteti me vizion të gjerë, i vetëdijshëm se mbrojtja e popullit shqiptar ishte një detyrë urgjente me përmasa ndërkombëtare.

Në telegram thuhet:
“Referuar lajmit të gëzueshëm se shtetet aleate, duke iu nënshtruar vendimit të marrë nga Konferenca e Londrës për çështjen e pavarësisë shqiptare, kanë pranuar gjithashtu t’i drejtohen Fuqive të Mëdha për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, kam nderin t’i përsëris Shkëlqesisë Suaj garancitë më të forta për dëshirën e sinqertë të shqiptarëve për të gëzuar sa më shpejt frytin e paqes dhe për të ruajtur me fqinjët e tyre marrëdhënie miqësore e vëllazërore. Megjithatë, shoh me keqardhje të thellë se vazhdimi i gjendjes së luftës ndërmjet Turqisë dhe Greqisë zhvillohet në tokën shqiptare, duke shkaktuar humbje në njerëz dhe shkatërrim të qyteteve e fshatrave; ndërsa furnizimi i një numri kaq të madh trupash dhe përkujdesja ndaj mijëra ushtarëve turq të plagosur e të sëmurë rrezikojnë ta rrënojnë, ta çojnë në uri dhe të shkaktojnë epidemi, në atë të vetmin cep të Shqipërisë që ka mbetur ende i lirë.
I bindur për ndjenjat e larta të Shkëlqesisë Tuaj, nxitoj t’i bëj thirrje drejtësisë suaj që, në emër të humanizmit, të ndërhyni sa më parë për të ndalur armiqësitë ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, e që kështu të mbrohen shqiptarët, të cilët ia besojnë çështjen e tyre drejtësisë së Fuqive të Mëdha, nga fatkeqësitë e një lufte që nuk e kanë shkaktuar vetë.
Presidenti i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemal Bej.”


***
Tri telegramet tregojnë qartë se Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e organizuar dhe e bashkërenduar që përfshiu shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Diaspora shqiptare dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës vepruan në harmoni, në kohën e duhur dhe me të njëjtin qëllim: afirmimin e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, njohjen e Pavarësisë dhe mbrojtjen e të drejtës së tij për të qenë i lirë.
Publikimi i këtyre telegrameve me rastin e 28 Nëntorit nderon jo vetëm momentin historik të ngritjes së flamurit, por edhe përpjekjen e heshtur, të përkushtuar dhe largpamëse të shqiptarëve që punuan për shtetin e tyre me mjetet e diplomacisë, të mendimit dhe të vizionit modern. Këto dokumente dëshmojnë se shteti shqiptar u ngrit mbi një angazhim të gjerë kombëtar, ku zërat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit vepruan së bashku për të siguruar njohjen dhe konsolidimin e Shqipërisë së pavarur./dritare.net