
Një histori ëndrrash/ Laerta, vogëlushja shqiptare e famshme në botë!
Dritare.net

Laerta e vogël ish një modele e lindur, që 3 vjeçe e kam parë të modelojë para aparateve të fotografëve si Endrit Mërtiri apo të tjerë të revistave më të njohura në Shqipëri.
Asokohe i pëshpëritja nënës së saj, Arditës teksa e ndiqnim në sesione apo intervista se po rriste një superstar. Dhe ashtu ndodhi vërtet.
Sot Laerta apo e njohur në Instagram me emrin "@fashion_laerta" është një nga profilet më të ndjekura duke numëruar kështu rreth 1.1 milionë ndjekës e këto jo falë ndonjë projekti televiziv apo videoklipi, por vetëm nëpërmjet aftësisë së saj për të pozuar apo kombinuar veshje të ndryshme që të vënë në pikëpyetje, nëse ke të bësh me një modele profesioniste apo me një fëmijë të bekuar me një natyralitet që nga lindja.
Laerta, vogëlushja nga qyteti i Durrësit, nisi rishtazi të ishte objektivi i nënës së saj që sot menaxhon punën e së bijës, por njëkohësisht inspirimi i shumë nënave të tjera, për të krijuar e rikrijuar veshje të saj me fëmijët e tyre. Kur e pyes nënën e saj nëse, po të kthehej pas do e dinte vlerën e këtij angazhimi që nisi, me siguri thotë që atëherë nuk e dinte rrugëtimin që do të ndërmerrte Laerta.
Një pasion i lindur vetvetiu nga dëshira për modën, bëri që Laerta të binte kështu në syrin e shumë revistave me editoriale mode në Shqipëri, por edhe të ishte një atraksion më vete për bizneset që i afroheshin për reklama.
7 vjeçe dhe tanimë një profesioniste e vërtetë, fama e Laertës shkoi përtej viteve që kish mbi supe, duke pozuar kështu krahë blogereve si Jonida Maliqit, duke rikrijuar veshje të figurave të rëndësishme të showbizit, por duke pasur edhe vëmendjen e tyre në rrjete sociale ku një pjesë e mirë e ndjekin.
Kur Laertës ia kujton periudhën që pozonte në Shqipëri për revistat më të njohura, ajo ka kujtime të vagullta, por di të thotë fare mirë me një artikulim prej të rriture që, s'ka pasur kurrë emocione kur pozonte para aparatit fotografik, përkundrazi i shijonte si një lojë me kukulla.
Sot Laerta jeton në Angli e vazhdon shkollën, por mos mendoni që pasioni i saj për modën ka ngelur në të shkuarën, përkundrazi. Laerta sot numëron një sërë daljesh ekskluzive në revista prestigjioze mode si Harper Bazaar, The Sun UK, Vogue etj, por sigurisht nuk lë asnjëherë pasdore studimet e saj.
Ardita, e ëma, tregon për Dritare.net se për të më shumë rëndësi ka shkollimi i vajzave (Laerta ka gjithashtu një motër të vogël po aq simpatike sa ajo!) dhe kujdeset që karriera e Laertës mos të influencojë në studimet e saj.
Ky sigurisht është një shqetësim i kotë, sepse sot Laerta jo vetëm është një nga nxënëset e dalluara të klasës së saj, por edhe të grupit të aktrimit ku mban shfaqje vazhdimisht. Ardita kujton se kur në nisje të llogarisë së saj në Instagram i kërkonte Laertës të pozonte, ajo e surprizonte duke marrë poza pa iu imponuar nga dikush tjetër e me një zë fëmijëror të thoshte se: "Jam një modele, mami!"
Laerta sot bashkëpunon me një sërë firmash botërore si Kardashian Kids, River Island, Zara, Next, Msgm duke qenë imazhi i tyre dhe duke ngjitur kështu shkallët e një karriere njësoj si yjet e mëdha të pasarelave.
Laerta ende nuk di të thotë ç’do të bëhet kur të rritet e megjithatë jemi të sigurt që do të ketë gjithë mbështetjen e familjes, siç shprehet dhe e ëma, por asnjëherë ata nuk do ta detyronin të ndiqte një drejtim apo një tjetër përsa kohë nuk do të jetë pasion i saji.
Duke ditur që fama e saj shtrihet më shumë jashtë Shqipërie për shkak edhe të firmave që reklamon, Laerta ka fansa kudo. Ardita na tregon raste të shumta kur teksa bën shopping me të bijë, moshatare të saj apo edhe të rritur e ndalojnë duke i folur dhe duke u fotografuar për të mos folur pastaj për mesazhet inkurajuese që vijnë në llogarinë e Instagramit të saj.
Nëna e Laertës, me modesti shprehet që jo gjithnjë i pranon ofertat apo kërkesat për dalje mediatike së të bijës, duke qenë se shpesh i duhet t'i menaxhojë ato në mënyrën e duhur që mos ta mbingarkojë 7-vjeçaren dhe ta lërë atë të shijojë fëmijërinë.
Dhe të themi të vërtetën, këtë fundvit Laerta po e kalon më së miri mes lojërave me të motrën, duke bërë shopping apo duke lexuar, detaje këto që thonë shumë për artikulimin dhe vetëbesimin që 7-vjeçarja zotëron teksa pozon.
Laerta sot flet rrjedhshëm dy gjuhë, e teksa e dëgjojmë të artikulojë bukur në gjuhën angleze nëpër spote apo reklama ku shfaqet, teksa intervistojmë atë dhe të ëmën na uron qartë në shqip: “Gëzuar festat!” e ne s'mund t'i urojmë veç suksese Laertës e ta shohim të arrirë në fushën që do zgjedhë për të bërë realitet ëndrrat e saj./dritare.net

















