Nga stoli te fusha, Gjimshiti tregon çelësin e fitores ndaj San Marinos
Dritare.net

Me synimin për të marrë fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kombeve, Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në San Marino pas suksesit ndaj Bjellorusisë. Në prag të ndeshjes së së martës, kapiteni Berat Gjimshiti tha se kuqezinjtë synojnë vendin e parë në grup, por theksoi se skuadra duhet të jetë e përqendruar dhe të japë maksimumin gjatë gjithë takimit.
Liga e Kombeve që na jep opsion për Europianin. Hapi i parë ishte ky te ndeshja e fundit, që zhvilluam një ndeshje të mirë dhe fituam me meritë. Synimet janë të forta, duam vendin e parë dhe duhet të përmirësohet gjithë grupi që të luajë bashkë dhe të japë 100% për 90 minuta. Në këtë nivel, shumë shpejt ndryshon loja nëse gabon. Futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet si do luajë San Marino, por edhe më shumë si do luajmë ne. Me agresivitetin dhe kualitetin që kemi, do ia dalim bashkë. Duhen 11 lojtarë në fushë, ata nga pankina do jenë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë nesër", tha Gjimshiti./K.C/dritare.net