
Zbardhet e vërteta e arrestimit të shefit të Qarkullimit. Çfarë u zbulua nga përgjimet
Dritare.net
Ky është momenti kur shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka është paraqitur në drejtorinë vendore të Policisë Tiranë për t’u vetëdorëzuar pas urdhër arrestit nga SPAK.
Në pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha duken pamjet teksa Zeka futet në polici pasi është informuar nga mediat për urdhër arrestin.
Ndaj 3 oficerëve të policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë SPAK ka firmosur tre masa arresti për dyshimet e korrupsionit. Siç bëhet me dije jo zyrtarisht shefi i komisariatit rrugor Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike Sokol Novaku dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku dyshohen për korrupsion.
Në përgjime rezulton qe oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik.
Çështja u hetua nga prokurorët e posaçëm që u vunë në lëvizje mbas një aksidenti rrugor në kryeqytet një ngjarje për të cilën ka dyshime se paratë i ka paguar një shtetase ndaj oficerit të policisë gjyqësore .
Mbetet ende e paqartë se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka patur pasojë në jetë prej këtij aksidenti.
Por ajo që shpjegohet është fakti se vendngjarjen e ka këqyrur oficeri Edison Tabaku, ndërkohë që më pas ka komunikuar me shefin e linjes për aksidentet Sokol Novaku po ashtu me urdhër ndalimi.
Për shkak se përmendet nga dy oficerët, urdhri i ndalimit është firmosur edhe ndaj Zekës, emëruar në këtë detyrë në mesin e dhjetorit 2024.
Veç Zekës qe është vetëdorëzuar, BKH ka arrestuar dy të tjerët, ndërkohë që veprimet vazhdojnë të kryhen nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit./TCH

















