
Vilat qeveritare do të rijetëzohen për turizëm elitar!
Dritare.net
Në hapje të fazës së dytë të konkursit ndërkombëtar për rikthimin në funksion të rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e një qasjeje të re ndaj pronës shtetërore, përmes partneritetit me sektorin privat dhe përdorimit të modeleve evropiane të menaxhimit.
“Rezidencat e dikurshme të udhëheqësve të regjimit komunist kanë mbetur për dekada në një gjendje të paqartë, por sot po i kthejmë në funksione publike me interes kombëtar – si qendra mikpritjeje, kultura dhe turizmi,” u shpreh Kryeministri.
Rama përmendi shembuj konkretë të suksesshëm, si transformimi i dy rezidencave në Tiranë: njëra e kthyer në shtëpi pritjeje për personalitete të huaja dhe tjetra në qendër rezidenciale për artistë ndërkombëtarë në bashkëpunim me fondacionin francez Art Explora.
“Kjo qasje e re vendos shtetin në rolin e një partneri aktiv dhe të përgjegjshëm, duke e bërë një aktor në zhvillimin ekonomik dhe kulturor përmes vënies në përdorim të aseteve publike,” theksoi Rama, duke nënvizuar se ky model i ri ndërveprimi me sipërmarrjen po jep rezultate konkrete.
Ai vlerësoi përfshirjen e studiove prestigjioze ndërkombëtare në konkursin për rijetëzimin e Vilës në Vlorë dhe asaj në Velipojë, dhe falënderoi jurinë ndërkombëtare për mbështetjen profesionale në përzgjedhjen e projekteve.
“Po ndërtojmë një infrastrukturë të re financiare dhe funksionale për shtetin, të bazuar në përvoja të suksesshme nga Italia e Spanja, ku asete të ngjashme janë kthyer në burime të ardhurash dhe motorr zhvillimi për komunitetin,” përfundoi Kryeministri./L.F-dritare.net

















