
Thirrja e ministres Kumbaro për pushuesit në plazhet publike!
Dritare.net
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, iu drejtua pushuesve me një mesazh gjatë inspektimeve në Velipojë, në kuadër të nisjes së operacionit “Plazhe të Pastra 2025”. Ajo theksoi se sfida e pastërtisë në zonat bregdetare nuk është vetëm një detyrë shtetërore, por një detyrim i përbashkët i institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve.
“Është e rëndësishme të theksojmë se nuk mund t’ia dalim dot të mirëmbajmë pastërtinë dhe rregullin nëpër plazhe në qoftë se banorët, pushuesit dhe bizneset, të cilat do lloji qofshin, nuk bashkëpunojnë me ne,” deklaroi Kumbaro.
Ministrja tha se pastërtia nuk është një detaj anësor, por një kusht themelor për të pasur një sezon turistik të suksesshëm dhe për të ndërtuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion i pastër dhe mikpritës.
“Çështja e pastërtisë do të jetë një kauzë kombëtare, sepse nuk mund të kemi turizëm të suksesshëm nëse nuk ia dalim sfidës së pastërtisë.”
Ministrja apeloi që të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre: pushteti vendor të garantojë pastrimin dhe mirëmbajtjen, bizneset të respektojnë hapësirat publike dhe detyrimet mjedisore, ndërsa pushuesit të tregojnë qytetari dhe vetëdije për mbrojtjen e mjedisit./L.F-dritare.net

















