
Tetë të arrestuar për vrasjen e 14-vjeçarit në Maliq
Dritare.net
Tetë persona janë arrestuar nga policia, në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur një ditë më parë në fshatin Pirg, Maliq, ku mbeti i vrarë me thikë një adoleshent 14-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Në pranga ra autori i dyshuar, një bashkëmoshatar i viktimës, i cili pas ngjarjes tentoi të largohej nga vendngjarja me automjet. Bashkë me të u arrestuan edhe babai dhe xhaxhai i tij, pasi dyshohet se fshehën mjetin prerës të krimit.
Gjithashtu, policia ndaloi 4 të mitur të pranishëm në konflikt, të cilët, përmes deklarimeve të tyre, tentuan të pengojnë hetimet, si dhe një 34-vjeçar që u përpoq të largohej bashkë me autorin e dyshuar.
Gjatë operacionit, u sekuestruan thika e përdorur në krim, automjeti me të cilin tentuan të largoheshin dy persona dhe 5 telefona celularë.
Policia njofton se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme./K.C/dritare.net

















