
The Telegraph: Kryeministri 2 metra i gjatë, e bëri Starmer të duket i vogël në skenën botërore
Dritare.net
Edi Rama i Shqipërisë ka lidhje miqësore me Laburistët, por refuzimi i tij ndaj planeve të tanishme të liderit të tyre për emigracionin ishte një goditje për Starmer.
Ai modelon partinë e tij sipas “New Labour” dhe e konsideron Sir Tony Blair një këshilltar të afërt.
Por kjo nuk e ndaloi Edi Ramën, kryeministrin shqiptar 2.01 metra të gjatë, të shkatërronte planet e Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në Shqipëri.
“Na është kërkuar nga disa vende nëse jemi të hapur për këtë dhe kemi thënë jo,” tha z. Rama në një konferencë për shtyp në Tiranë të enjten, informon dritare.net. Ai ka pranuar të ngrejë vetëm dy qendra kthimi për Italinë “për shkak të marrëdhënieve shumë të ngushta” me të.
Ishte një lloj qortimi publik në televizion që spindoktorët e Sir Tony Blair do të ishin përpjekur me dëshpërim ta shmangnin, duke e larguar vëmendjen nga ajo që duhej të ishte një kremtim i përbashkët i luftës kundër bandave të trafikut të qenieve njerëzore. Madje, ekziston një farë misteri pse ky mesazh nuk i është përcjellë Sir Keirit përpara vizitës së tij të parë në Shqipëri.
Sir Tony vazhdon të udhëtojë rregullisht për t’i ofruar këshilla Ramës. Po ashtu edhe Alastair Campbell. Secili prej tyre mund ta kishte paralajmëruar kryeministrin se nuk do të ishte e mençur të fliste për mundësinë e një bashkëpunimi për azilkërkuesit.
Ndoshta z. Rama, i gjatë dhe imponues, tani është thjesht në një nivel të tillë pushteti që nuk ka më nevojë të kujdeset për fjalët, pavarësisht se cili lider europian ndodhet përkrah tij.
Të dielën, ish-basketbollisti profesionist fitoi një mandat të katërt si kryeministër, informon dritare.net duke e zgjatur rekordin e tij si lideri më jetëgjatë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990.
Partia e tij Socialiste fitoi 52 për qind të votave kundrejt vetëm 34 për qind të Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha, ish-kryeministri 80-vjeçar. Z. Berisha kishte thirrur ndihmë nga qarqet e Trump-it për përpjekjen e tij të dytë për të rrëzuar Ramën. Por angazhimi i Chris LaCivita, menaxherit të fushatës Trump 2024, bëri pak për të bindur votuesit të mbështesnin një njeri të ndaluar nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA për akuza korrupsioni.
“Të marrësh LaCivita-n dhe të mendosh se do të bëhesh Trump është si të marrësh një parukier të Hollywood-it dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt,” i tha Rama portalit Politico.
Në samitet e liderëve botërorë, Rama pritet ngrohtësisht nga zyrtarët europianë dhe amerikanë, të cilët e shohin atë si një forcë stabilizuese në rajonin ende të brishtë të Ballkanit.
Si i ri, ai studioi art në Paris. Si kryeministër, ai ka thelluar përpjekjet e Shqipërisë për t’u shkëputur nga orbita e Rusisë dhe për t’u integruar me Europën demokratike dhe kozmopolite.
Në fillim të mandatit të tij në vitin 2013, ai postoi një selfie me Alastair Campbell, duke festuar statusin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Problemet e vazhdueshme me korrupsionin dhe ngurrimi i shteteve anëtare për të zgjeruar familjen evropiane kanë bërë që anëtarësimi i plotë të shtyhet: objektivi i ri është viti 2030. Ai shpreson se këtë kauzë do ta mbështesë Giorgia Meloni. Në janar, ai u ul në gjunjë për t’i dhuruar kryeministres italiane një shall të bardhë për ditëlindjen e saj të 48-të.
Ky lider jokonvencional, që shpesh vishet me atlete të bardha, e ka quajtur znj. Meloni një “motër të vogël” të Shqipërisë, duke lavdëruar “karizmën e saj të madhe” pasi të dy firmosën marrëveshjen për qendrat e kthimit të migrantëve në vitin 2023, informon dritare.net. Po atë vit, BE firmosi një marrëveshje për sigurinë kufitare me Shqipërinë, që lejon vendosjen e rojeve të Frontex-it në kufijtë e saj.
Rruga politike e Ramës filloi si kryebashkiak i Tiranës, ku u shqua si një reformator energjik.
Duke punuar me një buxhet “zero, presje hiçgjë”, ish-studenti i artit rilindi arkitekturën gri sovjetike të kryeqytetit duke e lyer me ngjyra të ndezura portokalli dhe jeshile. (BE, që kishte dhënë fondet, sipas tij, u përpoq të ndalonte këtë projekt për arsye rregullatore.)
Edhe Shqipëria është ribërë. Ajo është tani një vend pro-treg, socialdemokrat – dhe gjithnjë e më shumë, një destinacion turistik. Rivierën shqiptare e vizitojnë tani mbi 10 milionë turistë të huaj në vit, një rritje prej 35 për qind nga 2022 në 2023.
Por është përdorimi i vijës bregdetare të Shqipërisë për qëllime më të errëta ai që tregon për problemet e vazhdueshme të vendit, informon dritare.net. Diplomatët miqësorë të BE-së e përshkruajnë dështimin e Ramës për të çrrënjosur korrupsionin si një çmim që paguhet për të arritur çdo gjë në vend.
Gjatë qëndrimit të shkurtër në Shqipëri, LaCivita solli në vëmendje akuza – të cilat mohohen fuqishëm – se kryeministri kishte bashkëpunuar me krimin e organizuar për të ndikuar zgjedhjet, duke e quajtur Shqipërinë “shteti narkotik i Edit”./l.F-dritare.net

















