
Sot, 104 vite nga lindja e aktores së madhe shqiptare Marie Logoreci!
Dritare.net
Sot mbushen plot 104 vjet nga ardhja në jetë e një artiste të madhe, siç ishte Marie Logoreci. Marie lindi në Shkodër më 23 shtator, 1920. Ajo ishte e bija e një zejtari e një shtëpiakeje, që në fëmijëri e thërrisnin Tushi. Më vonë, pas martesës me Kolën, ajo do të bëhej aktorja e njohur Marie Logoreci. Ndërsa në vegjëli kishte pasion këngën e vizatimin, si aktore ajo do të interpretonte 44 pjesë teatrore dhe në 12 filma, muzika do të mbetej në plan të dytë, edhe pse për të qe dëshira e parë. Vizatonte, këndonte herë me mandolinë e herë me kitarë.
Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Kola iste shef i Buxhetit të Shtetit dhe kishte titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”.
Ai ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci, një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, e të Shqipërisë së mesme. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në Korin e Përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.
Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në nëntor të vitit1947 filloi punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e Teatrit ishte Xhesi në Çështja ruse. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar, Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu.
Marie Logoreci u nda nga jeta më 19 qershor 1988 në Tiranë.
Interpretime në Teatër:
1947: Çështja ruse - Xhesi
1947: Tartufi - Elmira
1949: Rrënjë të thella - Alisa Lengton
1950: Komploti i të dënuarve - Kristina Padera
1950: Halili dhe Hajria - Fatimja
1950: Makar Dubrava - Olga Andrejevna
1952: Gjashtë dashnorët - Aljona Patrovna
1954: Toka jonë - Loke
1956: Armiqtë - Kleopatra Petrovna
1957: Intrigë e dashuri - Ledi Milford
1957: Orët e Kremlinit - Zabelina
1958: Shtatë shaljanet - Tringa
1960: Hamleti - Gertruda
1961: Shtëpia e Bernarda Albes - Bernarda Alba
1962: Mbi gërmadhat - Musinea
1962: Morali i zonjës Dulska - Tadrahova
1962: Rrëshqitja - Fitneti
1963: Shtërngata - Lu Së Ping
1966: Muri i Madh - Nëna Xhun
1966: Përkolgjinajt - Mara
1967: Drita - Manushaqja - regjia: Marie Logoreci
1967: Cuca e maleve - Prenda
1968: Çatia e të gjithëve - Plaka
1972: Gjenerali i ushtrisë së vdekur - Kontesha Xampa
1977: Përmbytja e madhe - Gjela
Interpretime në film:
1953: Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu
1957: Fëmijët e saj
1958: Tana
1963: Detyrë e posaçme
1954: Toka jonë
1966: Oshëtime në bregdet
1969: Njësiti guerril
1973: Operacioni Zjarri
1975: Gjenerali i ushtrisë së vdekur
1978: Nga mesi i errësirës
1978: Dollia e dasmës sime
1979: Çeta e vogël
Për punën e saj Marie Logoreci është nderuar me:
Titulli "Artiste e Merituar", 1961
Titulli "Naim Frashëri", 1969
Titulli "Artist i Popullit", 1975
Urdhëri "Nderi i Kombit", 2015 (pas vdekjes)
Në nderim të figurës së saj janë emërtuar:
Rruga Marie Logoreci
Shkolla Marie Logoreci./dritare.net

















