
Flet emigranti: Jo La Manshit! Mjaft e mbushëm Adriatikun me trupat tanë!
Dritare.net
Leart Sinani provoi të shkoi në Itali me trap përmes detit, nga Vlora në Ankona, por autoritetet italiane e kthyen. Ai iu rikthye detit,vite më pas, por jo më për veten, por të tjerët. Jo më me trap, por gomone.
Një rrëfim i pazakontë, në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, i një emigranti, që flet për vitet e errëta për shqiptarët, të cilët mbushën gomonet, në drejtim të Italisë. Në fund, Sinani ka një mesazh për të rinjtë, për ata që marrin rrezikun duke kaluar La Manshin, me gomone.
“E doja këtë intervistë sepse doja të jepja dhe një mesazh, për të gjithë ata shqiptarë që ikin. Doja t’u thoja të gjithë shqiptarëve, që të paktën me gra e me fëmijë, të mos e marrin atë rrugë. Është krimi më madh. Ne i kemi provuar vetë, i kemi mbushur fundet e deteve me trupat tanë, pse duhet të vazhdojmë akoma edhe sot në 2022. Është krimi më i madh, më beso.
Nuk duhet vazhduar kjo. Unë e di, e kam të qartë jetën në Shqipëri, është e vështirë, por nuk është më e lehtë të përfundosh në fund të La Manshit. Ky është fundi, kjo është më e keqja. La Manshi është fundi, ndaj mos e bëni”, u shpreh Sinani në Dritare TV./L-F/dritare.net

















