Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si u transformua tregu i pronave në jug, flet Ilda Zaloshnja!

Si u transformua tregu i pronave në jug, flet Ilda Zaloshnja!

Zhvillimi urbanistik dhe turistik i Shqipërisë në pesë vitet e fundit ka përshkruar një trajektore vërtet mahnitëse, e ngjashme në hapa të vegjël me atë çka bënë shtetet mesdhetare dekada më parë. Ndonëse Tirana mbetet kryeqyteti dhe një metropol që afrohet dita-ditës me standardet e Evropës, është jugu i Shqipërisë ai që po drejton motorin e industrisë së pasurive të paluajtshme.

Ilja Zaloshnja Ceo and Founder of Capital Point- Forbes Global Properties e përshkroi jugun e Shqipërisë si 'në flakë' nga pikëpamja e interesit të investitorëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.
Historikisht, Shqipëria perceptohej si një destinacion 'low cost' (i lirë). Madje, përpara pak vitesh, një metër katror në Lungomaren e Vlorës shitej për 600 deri në 700 euro, një shifër që ndoshta vendasve u dukej e lartë asokohe, por që për të huajt përbënte një treg thuajse falas. Sot, me ngritjen e kërkesës, kjo vlerë ka kapërcyer në 1700, 2000 euro, dhe në zona si Palasa e Dhërmiu, projektet e reja nisin nga 2800 deri mbi 3500 euro për metër katror. Disa investitorë apo anëtarë të diasporës që e lanë Shqipërinë vite më parë, kthehen sot me mentalitetin e vjetër të një vendi të lirë, ndaj surprizohen kur përballen me çmime pothuajse evropiane.
Zonja Zaloshnja e vuri theksin tek krahasimi rajonal: fqinjët tanë në jug, Greqia, kanë një treg pronash bregdetare me shifra që mund të kapin pa frikë 10,000 euro për metër katror. Mali i Zi ofron prona të njëjtës kategori që nisin nga 7,000 deri në 8,000 euro për metër katror. Nisur nga këto shifra, bregdeti shqiptar është ende mjaft atraktiv dhe vazhdon të konsiderohet i lirë për atë kategori investitorësh që synojnë rezidencat verore në Mesdhe.


Veçanërisht Vlora cilësohet si një perlë që ka përparësi absolute gjeografike, duke kombinuar detin e bukur me male dhe pyje fantastike drejt Llogarasë. Ndërtimi i ByPass-it, aeroportit të ri të Vlorës, dhe lidhjeve të reja infrastrukturore i ka dhënë këtij qarku një rritje eksponenciale, jo vetëm duke zhvilluar zonën urbane por edhe duke zgjuar nga 'gjumi' fshatra të vogla të lumit të Vlorës. Megjithatë, për shqiptarët e thjeshtë, kjo rritje vjen me një faturë të hidhur: ëndrra e blerjes së një apartamenti në vijën e parë bregdetare po mbyllet. Sidoqoftë, ky zhvillim e vendos Shqipërinë në një ndër destinacionet kryesore të turizmit dhe investimit në Evropën Juglindore./dritare.net