
Akademiku Gjovalin Shkurtaj: Si më bashkoi gjuha shqipe me presidentin Moisiu!
Dritare.net
Studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin Shkurtaj ishte i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV ku përcolli mesazhe të vyera dhe informacione të rëndësishme për gjuhën tonë. Profesori thotë se shteti duhet të investojë për gjuhën shqipe, të vendosë redaktorë kudo në institucione shtetërore dhe në media. Po ashtu akademiku tregon se si u njoh me ish-presidentin Alfred Moisiu, falë gjuhës shqipe.
“Unë jam dakord që të vendosen redaktorë dhe korrektorë letrarë në të gjitha institucionet. Është punë e mirë. Nuk është bërë ende. Shteti duhet të investojë për gjuhën. Që nga Ismail Qemali, i cili me gjithë hallet që kishte katër muaj pas shpalljes së pavarësisë botoi lajmërimin: "Të gjithë ata që duan të qëndrojnë në administratën e shtetit duhet ta njohin gjuhën shqipe. Nëse nuk e njohin, të marrin kohën e nevojshme që ta nxënë."
I kam lavdëruar gjithmonë ata shtetarë që kanë folur për gjuhën shqipe dhe na kanë mbështetur. Ish-presidenti Moisiu disa herë më ka ndihmuar me mbështetjen e tij, na ka shtyrë të punojmë për shqipen. Ky është honorari më i çmuar për mua. Ai jep gjithmonë mesazhe të vyera. Është një nga njerëzit që ka shumë kujdes. Unë jam bërë mik me të që kur botoi një libër. Më morën në telefon nga shtypshkronja, pasi Moisiu ngulte këmbë për diçka që ai dinte në mënyrën e vet. Redaktorja i thoshte: “Profesor Gjovalini ma ka thënë kështu.” Dhe ai më mori në telefon. Pra jemi miqësuar pikërisht për kujdesin që ka treguar për gjuhën shqipe. Është mirë kur çdo gjë që botohet të shikohet me kujdes. Latinët na e kanë lënë shprehjen: “Fjalët i merr era, e shkruara mbetet.” Sot edhe fjalët nuk i merr era, sepse edhe këto që thamë ne, janë në Youtube.”, tha akademiku në DritareTV./K.C/dritare.net

















