
Si dallohet një mjaltë cilësor? Ja çfarë thotë bletërritësi!
Dritare.net
Në skajin më të largët të Beratit, aty ku rruga përfundon dhe fillon natyra e egër, ndodhet një nga thesaret më të pazbuluara të Shqipërisë, Zhapokika. Nuk është një minierë ari në kuptimin klasik, por një pasuri e shëndetit: mjalti. DritareTV ka udhëtuar drejt këtij fshati piktoresk për të zbuluar një histori të rrallë përkushtimi, tradite dhe dashurie për natyrën.
Traditë 140-vjeçare në bletari
Alkest Shehu, një ndër trashëgimtarët e kësaj tradite, na pret në fermë. Me modesti, por edhe krenari, ai na tregon se bletaria në familjen e tij ka nisur 140 vite më parë me stërgjyshin Abedinin, e më pas vijuar nga gjyshi Halimi në kohën e komunizmit, me mbi 40 koshere. Sot, familja Shehu zotëron mbi 100 koshere dhe një përvojë që e bëjnë mjaltin e tyre unik.
Mjalti i maresë, një thesar i padukshëm
Ndër më të kërkuarit është mjalti i maresë, i rrallë dhe shumë i çmuar. “Ky mjaltë nuk prodhohet këtu, por në zonën e Zhitomit, rreth 20 km larg,” tregon Alkesti. “Bletët i zhvendosim atje për dy muaj, nga tetori në dhjetor. Është një proces i vështirë dhe jo çdo vit japin mjaltë, por është pikërisht kjo vështirësi që e bën kaq të veçantë”.
Kërkesa për mjaltin e maresë është rritur ndjeshëm: “Prodhimi shkon deri në 400 kg në vit, ndërkohë që kërkesat kalojnë 1.000 kg,” thotë ai. Çmimi për këtë mjaltë varion nga 20 deri në 25 euro për kg në Shqipëri, ndërsa në Itali arrin deri në 100 euro për kg. Ky mjaltë është ndër më kurativët në botë dhe sipas studimeve nga Spanja dhe Kroacia, është efektiv kundër kancerit të zorrës së trashë.
Mjalti i lofatës, vetëm në Zhapokikë
Një tjetër perlë është mjalti i lofatës, një lule me ngjyrë rozë që mbulon fshatin në prill. Ky mjaltë prodhohet shumë rrallë, vetëm çdo pesë apo gjashtë vjet sepse kërkon bletë të forta dhe kushte perfekte. “Ka një ngjyrë të errët dhe përdoret shumë për fëmijët, veçanërisht për fytin dhe grykët në dimër,” tregon Alkesti.
Qumështi i bletës, fuqi për trupin
Një tjetër produkt i veçantë është qumështi i bletës, që mblidhet nga prilli deri në qershor. Ai përdoret për të forcuar organizmin dhe ka kërkesë të lartë. “Japim dozimin sipas moshës dhe peshës, një shiringë për fëmijët, tre për të rriturit,” shpjegon Alkest. Qumështi merret esëll, gjysmë ore para mëngjesit, dhe ka një afat përdorimi rreth 18 muaj nga dita e prodhimit.
Uthulla e mollës së egër, prodhim 100% natyral
Përveç mjaltit, familja Shehu ka filluar prodhimin e uthullës me mollë të egër, një mollë që rritet në pyll pa asnjë ndërhyrje kimike. Kjo uthull është veçanërisht efektive për uljen e glicemisë dhe kolesterolit, por përdoret edhe për dieta.
Si dallohet mjalti cilësor?
Përtej sheqerit, cilësia e mjaltit përcaktohet nga mungesa e mbetjeve të ilaçeve. Disa mjaltë si ai i lofatës apo i lisit nuk kristalizohen në dimër për shkak të përbërjes së ulët të glukozës dhe kjo nuk duhet parë si shenjë e keqe. “Përkundrazi, këta mjaltë janë të shkëlqyer për diabetikët,” thekson Alkes.
Një thesar i fshehur në zemër të Shqipërisë
Fshati Zhapokikë është një shembull i gjallë se si pasuria më e madhe e Shqipërisë mund të qëndrojë e fshehur në vendet më të largëta. Me përkushtimin e njerëzve si Alkest Shehu, pasuritë natyrore kthehen në pasuri kombëtare, duke sjellë jo vetëm produkte të shëndetshme, por edhe shpresë për të ardhmen e bujqësisë shqiptare./dritare.net

















