Shqipëria në Drudge Report: Amerika flet për protestat kundër projektit të Kushner!
Dritare.net

Protestat për projektin e Kushner marrin jehonë në SHBA. Shqipëria është shfaqur në faqen e parë të Drudge Report, një nga platformat më të njohura amerikane të lajmeve politike, për shkak të protestave kundër projektit turistik të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump.

Drudge Report nuk prodhon vetë lajme, por përzgjedh dhe vendos në faqen kryesore artikujt që konsiderohen me interes të lartë për publikun amerikan. Në rastin e Shqipërisë, Drudge ka zgjedhur titullin: “Protests Grow in Albania Over Kushner-Linked Project” (Protestat po shtohen në Shqipëri për projektin e lidhur me Kushner)
Artikulli trajton protestat e zhvilluara në Tiranë dhe Zvërnec kundër projektit të resortit luksoz që parashikohet të ndërtohet në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Sipas raportimit, protestuesit marshuan me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, duke kundërshtuar ndërtimet në një nga zonat më të ndjeshme mjedisore të vendit. Aktivistët dhe organizatat mjedisore pretendojnë se projekti mund të dëmtojë biodiversitetin dhe ekosistemin e lagunës së Nartës, ndërsa qeveria shqiptare e konsideron investimin si pjesë të strategjisë për zhvillimin e turizmit elitar dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.
Protestat morën përmasa më të mëdha pas publikimit të videove që tregonin përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private në zonën e Zvërnecit. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë Euronews, Fox News, AFP dhe media të tjera që po ndjekin zhvillimet në Shqipëri.
Fakti që kjo histori është vendosur në faqen kryesore të Drudge Report tregon se çështja nuk po shihet më vetëm si një debat lokal shqiptar, por si një histori ndërkombëtare ku ndërthuren investimet e mëdha, politika amerikane, mjedisi dhe zhvillimi i turizmit në Ballkan./dritare.net