Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria më afër BE: Parlamenti Evropian mbështet mbylljen e negociatave deri në 2027

Shqipëria më afër BE: Parlamenti Evropian mbështet mbylljen

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian dhe duke theksuar rëndësinë e përshpejtimit të reformave kyçe.

Në raportin e miratuar me shumicë votash, eurodeputetët mirëpresin ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë objektiv si ambicioz, por të arritshëm nëse vazhdohet me përkushtim ndaj reformave.

Raporti nënvizon nevojën për thellimin e reformave në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së medias. Po ashtu, vihet theksi te rëndësia e funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe progresit të qëndrueshëm në zbatimin e legjislacionit të BE-së.

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Isabel Santos, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, por theksoi se “rruga drejt anëtarësimit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, sidomos në fushat që lidhen me të drejtat themelore dhe funksionimin e demokracisë”.

Raporti pritet të votohet në seancë plenare të Parlamentit Evropian në javët në vijim./L.F-dritare.net