Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shkarkimi i Vjosa Osmanit, përçahet LDK

Shkarkimi i Vjosa Osmanit, përçahet LDK

Sot në orën 19:00 vendoset fati i nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kandidates për kryeministre nga LDK, dhe kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, pasi kryetari i LDK, Isa Mustafa u ka propozuar organeve vendim-marrëse të partisë shkarkimin e saj nga të gjitha funksionet brenda partisë.

Edhe pse Vjosa Osmani ende nuk ka reaguar, qartasi Lidhja Demokratike e Kosovës, është përçarë.

Të paktën dy deputetë të LDK, një anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe një kryetar dege dhe anëtar kryesie brenda LDK, kanë kundërshtuar idenë e kryetarit të tyre Isa Mustafa për shkarkimin e Osmanit.

Deputetët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, dhe Haxhi Avdyli, kanë reaguar ashpër ndaj propozimit të kreut të kësaj partie, Isa Mustafa, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti.

Teksa Rexhepi e ka cilësuar veprim të pavend dhe ofendues për LDK-në, Avdyli ka thënë se ai që duhet të shkarkohet është vetë kreu i partisë Isa Mustafa.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK, Faton Peci, ka dalë kundër propozimit të Mustafës. Ai ka thënë se “tendenca e re mund të përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, që vjen nga radhët e LDK, e ka quajtur këtë propozim si momenti më i rëndë në historinë e LDK

Gjithashtu edhe anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm, ish –Presidenti i Kosovës, dhe ish-kreu i LDK, Fatmir Sejdiu ka dalë kundër këtij shkarkimi duke thënë :“Ky veprim, absolutisht nuk është në interesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si i tillë është i ngutshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm”./ I.M-Dritare.net