Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sa shqiptarë ka në botë? Diaspora kërkon regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit!

Sa shqiptarë ka në botë? Diaspora kërkon regjistrimin e

Në Panelin për Diasporën Mbarëshqiptare në kuadër të Samitit të Katërt të Diasporës u ngrit çështja e mungesës së një regjistrimi të plotë të shqiptarëve në botë, duke e cilësuar atë si një problem të rëndësishëm juridik dhe institucional.

Një nga folësit kërkoi krijimin e një sistemi të unifikuar regjistrimi për shqiptarët kudo në botë, duke argumentuar se diaspora nuk është e identifikuar në mënyrë të plotë dhe se kjo mungesë po krijon boshllëqe në të drejta dhe përfaqësim. Ai theksoi nevojën për një “letërnjoftim juridik” të diasporës shqiptare, që do të përfshinte të dhëna bazë dhe një kuadër të qartë ligjor për identifikimin e shqiptarëve jashtë vendit.

Sipas tij, çështja prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa u përmend edhe shqetësimi për mungesë të evidencës së plotë të qytetarëve jorezidentë në disa vende.

Në përgjigje, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, pranoi se regjistrimi i diasporës mbetet një sfidë e pazgjidhur deri më tani.

Ai tha se institucionet shqiptare ende nuk kanë gjetur një platformë të qëndrueshme për regjistrimin e plotë të diasporës, duke e cilësuar procesin si delikat dhe të ndërlikuar. Sipas tij, janë bërë përpjekje përmes platformave ekzistuese dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës, por rezultatet kanë qenë ende të kufizuara.

Hoxha theksoi se po punohet për krijimin e një platforme të përbashkët edhe me institucionet e Kosovës, ku diaspora të mund të regjistrohet vullnetarisht me të dhëna bazë, me qëllim njohjen më të mirë të saj dhe planifikimin e politikave shtetërore.

Ai shtoi se synimi kryesor është ndërtimi i besimit me diasporën dhe krijimi i një sistemi që ndihmon bashkëpunimin, pa e përzier procesin me çështje zgjedhore./L.F-dritare.net