Gazetarja Rudina Xhunga, sot në rubrikën Opinion prezantoi nismën e re të Dritare.net, për të mbështetur prodhuesit shqiptarë. Gazetarja u shpreh se në këto ditë të vështira kemi nevojë për sa më shumë solidatitet, dhe për t’i dhënë një dorë njëri-tjetrit, Dritare ka menduar të suportojë prodhuesit shqiptarë, që këtë vit të festojmë shqip.
Senada Jaho: Ndalemi pak te nisma më e fundit e ndërmarrë nga ju, të ndihmojmë prodhuesin shqiptar. Mund të na thoni diçka më shumë?
Rudina Xhunga: Kjo është një prej gjërave që pëlqej të flas në fakt, sepse për virusin më duket vetja e lodhur së foluri për këtë, sepse hyj te njerëzit që më duhet të flas patjetër. Ne duhet të flasim, të themi vëre maskën, në këtë mënyrë, ndihmo veten, mjekët. Ndihmoje këtë vend të mos mbyllet prapë. Sepse po u mbyllëm nuk bëhet më fjalë të na ndihmojë kush. Kush mund të na ndihmojë? Kush do të të ndihmojë po nuk ndihmove veten? Kjo është çmenduri të thuash do të shkoj në kafe se punë e madhe nuk më gjen gjë. Pastaj kur të gjen thua të më ndihmojnë. Po kush do të të ndihmojë?
Ti je një vend i vogël dhe i varfër, mund të ndihmosh vetëm veten. Siç është kjo një mënyrë për të ndihmuar veten, nisma që kemi ndërmarrë në Dritare.net, për të promovuar falas bizneset e ndershme të këtij vendi që prodhojnë shqip. Që prodhojnë domate në bahçe, që prodhojnë birrë, si Korça apo Tirana, që prodhojnë verë shqiptare nga vreshtat e Leskovikut, mjaltë të mirë nga Erseka, që bëjnë gati darkën e Vitit të Ri dhe ta sjellin në shtëpi me kulaçë e me gjela deti Berati, me ullinj Berati, apo me portokalle e revani Vlore, gështenja Puke, arra Tropoje, torta Kavaje, fli veriu e byrek jugu. Çdo biznes të ndershëm të këtij vendi t’i shtrijmë dorën dhe ti japim mundësinë që të mos dorëzohet dhe të thotë kaq ishte mbaroi. Jo, nuk mbaroi sepse ne jemi bashkë. Jemi pak, dhe do t’ia dalim. Prandaj është kjo dëshirë e madhe që unë kam, që t’i hapim dritaret njëri-tjetrit, derisa pandemia të mbarojë dhe të hapet një dritare shumë më e madhe për ne. Sepse padyshim një njeri i rraskapitur nga një vit si 2020, do të dojë gjithsesi të bëjë turizëm, të shkojë të pushojë, të shkojë e të qetësohet dhe të thotë që ia dolëm. Dhe turizmi do të ketë mundësi në qershor por unë po them derisa të vijë qershori. Për Vitin e Ri të festojmë në mënyrën tonë, edhe pse do të jemi me familje të vogla, pa u bashkuar me njëri-tjetrin, edhe pse nuk do të vemi në restorante, të mos i lëmë ata njerëz të dorëzohen se mezi ia kanë dalë të vijnë deri këtu. T’u japim mundësi prodhuesit shqiptar, që kudo është t’i themi që ne babagjyshin e kemi shqiptar, ne te pema e Vitit të Ri do të vendosim dhurata shqip. Edhe ne të gjithë do të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta pritur shqip vitin e ri. Kjo është mënyra ime për t’i thënë shqiptarëve, se mund ta nxijmë e të themi që jemi më të këqijtë e botës, se na vajti keq dhe na vajti ters. Por ka edhe një mundësi për t’i hapur dritaret njëri-tjetrit, bëjeni këtë vit të vijë shqip./dritare.net