Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Tirana në garë me Madridin, për Globe Soccer Awards

Rama: Tirana në garë me Madridin, për Globe Soccer Awards

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po shënon përparim të ndjeshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me pritshmëri për hapjen e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit. Ai theksoi ambicien për të hapur edhe grupkapitullin e fundit, me qëllim përmbylljen e kësaj faze të rëndësishme.

Rama e vlerësoi gjithashtu si një sukses të jashtëzakonshëm Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian, duke theksuar se jehona e tij vazhdon në korridoret e politikës evropiane.

Kryeministri bëri të ditur se tashmë ka nisur puna për organizimin e një Samiti të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri, një proces që kërkon përgatitje afatgjatë. Një grup inspektimi nga selia e NATO-s në Bruksel ka vizituar vendin për të vlerësuar kapacitetet infrastrukturore dhe logjistike. “Topi është në fushën tonë,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e një masterplani të detajuar për organizimin e këtij eventi madhor.

Ndërkohë, Tirana është në garë me Madridin për të pritur edicionin evropian të Globe Soccer Awards, një event prestigjioz që tradicionalisht zhvillohet në Dubai për nivelin global. Rama shprehu optimizëm të madh për mundësinë që ky event të mbahet në Shqipëri, duke përmendur mundësinë që çmimi për futbollistin më të mirë të vitit t’i dorëzohet në Tiranë, për shembull, yllit të ri Lamine Yamal.

“Kemi lajme të mira nga fronti i negociatave, urojmë shpresojmë dhe besojmë që së shpejti do të marrim lajmin e hapjes së një tjetër grup kapitujsh dhe sipas ambicies dhe planit të hapim edhe grupkapitullin e fundit, që t’i kemi të gjitha të hapura. Ndërkohë samiti i Komunitetit Politik Evropain ka qenë sukses i jashtëzakonshëm, fantastik pa bërë asnjë ekzagjerim, jehona e të cilit në korridoret e politikës evropiane vazhdon. Kemi filluar punën për samitin e NATO-s, në dukje ka kohë por në fakt kjo është mënyra se si punohet për samitet e NATO, fillon puna dy vjet përpara. Pasi ka ardhur grupi i inspektimit nga qendra e NATO-s në Bruksel për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës së mikpritjes dhe logjistikës. Topi është në fushen tonë për të shkuar përsëri në qendër me një masterplan të përgjithshëm të organizimit.

Ndërkohë jemi në një diskutim së fundmi për të sjellë në Tiranë 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar si opsione dhe Durrësin dhe Vlorën, edicionin evropian të çmimit të globit të futbollit, eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket vetë edicionit global në Dubai dhe për edicionin evropian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne. Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do të bjerë mbi ne dhe do të jetë fantastike që psh çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer fjala vjen t’ja japim këtu në Tiranë. Po punojmë edhe me Padel International, është një tjetër aktivitet i jashtëzakonshëm që ka mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij.”, tha Rama./L.F-dritare.net