Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Siguria ushqimore, pika jonë e dobët. Nis sekuestrimi i produkteve pa faturë

Rama: Siguria ushqimore, pika jonë e dobët. Nis sekuestrimi i

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se siguria ushqimore mbetet një nga pikat më të dobëta të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke paralajmëruar hapa të vendosur për përmirësimin e saj.

Në një deklaratë publike, ai bëri të ditur se pezullimi i veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe nisja e një procesi rivlerësimi për të gjithë inspektorët është vetëm hapi i parë i një reforme të thellë në këtë sektor.

“Siguria ushqimore është pika më e dobët në negociatat për anëtarësim. Kemi pezulluar veprimtarinë e AKU dhe kemi nisur provimet me gojë dhe me shkrim për të gjithë inspektorët. Hapet gjithashtu mundësia që të përfshihen njerëz të rinj në këtë agjenci,” deklaroi Rama.
Ai njoftoi se nga sot ka nisur një operacion i posaçëm kontrolli për konfiskimin e produkteve të freskëta që tregtohen pa faturë, duke e cilësuar këtë si burim të drejtpërdrejtë të pasigurisë ushqimore.

“Ka filluar procesi i kontrollit dhe konfiskimit të qumështit dhe bulmetit të freskët pa faturë. Po ashtu, edhe mish i freskët pa faturë do të sekuestrohet. Pasiguri ushqimore do të thotë rrezik për shëndetin e njerëzve,” theksoi ai.
Sipas Kryeministrit, ky është vetëm fillimi i një fushate të gjerë dhe të pandalshme për garantimin e standardeve evropiane në sigurinë ushqimore.

“Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë. Siguria ushqimore nuk do të jetë më fushë e lirë për abuzim,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net