Rama tregon bisedën pas takimit me Hashim Thaçin!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka takuar sot ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin në Hagë. Rama e cilësoi procesin ndaj tij si “teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare”, duke e përshkruar ndalimin e Thaçit si një rrëmbim pa gjyq.
Rama e përshkroi gjendjen e Thaçit si të mirë dhe të qetë pavarësisht kufizimeve të reja të të drejtave minimale që, sipas tij, i janë vendosur së fundmi. Gjatë takimit është biseduar për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë dhe Kosovën, si edhe për libra dhe lexime që Thaçi vijon të ndjekë gjatë qëndrimit të tij në paraburgim.
Rama shpreh kritika të forta ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar procesin si një farsë që synon të njollosë Luftën Çlirimtare të Kosovës.
"Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin
me të qeshur Hashimi e quan “institut”
Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë
Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor", shkruan Rama./L.F-dritare.net