Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama flet për projektin e Zvërnecit: Ja e vërteta!

Rama flet për projektin e Zvërnecit: Ja e vërteta!

Kryeministri Edi Rama po flet nga mbledhja e grupit të PS ku po jep shpjegime për situatën e krijuar ditëve të fundit në Zvërnec si dhe për të sqaruar aludimet.


Rama tha se e mirëkupton reagimin e revoltuar të qytetarëve për dhunën e përdorur nga policia private në drejtim të Policisë së Shtetit dhe protestuesve. Gjithashtu tha se policia nuk duhet të relativizonte dhunën, por të arrestonte menjëherë dhunuesit.

“Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht pasi panë aktin e neveritshëm kundër njërit prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar e lexuar, ju kuptoj shumë mirë, ju siguroj që në vendi tuaj edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit, sidomos, sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie në sytë e policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar dhe pastaj policia të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe ta relativizonte dhunën, ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se projekti në Zvërnec do ta bëjë Shqipërinë si vendi me destinacionet më të preferuara në pjesën e Mesdheut. Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama thotë se është betuar për të mos i tradhëtuar kurrë dhe se përpjekjet për t’i kthyer kundër qeverisë, është një kurth për PS e kësaj radhe për Shqipërinë.

“Falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është, i kemi dhënë vlerën që ka flamuri ynë në sytë e të huajve dhe dua ta bëjmë Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më të lakmuar në Mesdheun e sotëm. Ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Tani kam zgjedhur t’ju tregoj anën tjetër të medaljes, edhe me rrezikun që të mos më besoni. Po aq hapur, kur kam hyrë në atë zyrë, kam thënë se zyra është e imja, pushteti është i juaji dhe nuk kam premtuar që s’do bëj gabime, por kam premtuar që s’do ju tradhtoj kurrë.

Nuk është vendi këtu për të shpjeguar arsyet e këtij premtimi. Është vendi për t’ju treguar se si ju kanë manipuluar, ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar atdhetarinë, dëshirën për të pasur një vend të bukur, dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua që prej ditës së parë, por që në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë. Dua ta ndaj me ju se kam menduar edhe për një film, që na identifikon ne përpara botës, kur na dinin njerëz me bisht, dhe jo në vitet para erës sonë, por në vitet e demokracisë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk e ka tradhtuar kurrë Shqiëprinë, referuar deklaratave që gëlojnë në rrjet se Sazani u shit tek izraelitët. Rama u ndal edhe tek pasqyrimi i mediave greke ndaj protestës, duke pyetur se si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët e shqiptarëve në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë

“Vetëm mysliman nuk janë, vetëm allah dhe kuran nuk kanë, sepse bëjnë çdo ditë krimin e ndaluar nga kurani, për të helmuar njerëzit me shpifje. Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes. Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë. Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, u gjet shitësi i atdheut, u gjet i korruptuari dhe ai është kryeministri juaj. Thënë këto dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase emocional, por kjo është ndjesia ime, se për mua këto janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’iu përulem thellë për nderin e madh që me keni bërë dhe t’iu kërkoj ndjesë për të iku në katund dhe për t’iu lënë në duart që do zgjidhni vetë për të mbrojtur Shqipërinë nga të huaj. Por ka, zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’iu udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe e dua po ashtu siç e doni ju”, tha Rama./dritare.net