Rama: Evropa duhet të vendosë, do bashkohet apo shpërbëhet!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një vizitë pune në Slloveni, ku merr pjesë në Konferencën e 20-të ndërkombëtare të Forumit Strategjik të Bledit, një nga platformat më të rëndësishme për diskutime strategjike mbi sfidat globale dhe të ardhmen e Evropës.
Në edicionin e këtij viti me temë “A Runaway World”, ku marrin pjesë liderë, ekspertë dhe vizionarë nga e gjithë bota, Rama ishte i ftuar special në panelin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.
I pyetur për perspektivën e Shqipërisë në raport me BE-në, Rama theksoi se vendi ynë ka qenë gjithmonë një partner i besueshëm:
“Politika jonë e jashtme është 100% e harmonizuar me politikën e BE-së. Ne asnjëherë nuk jemi lëkundur dhe nuk e kemi vënë në dyshim këtë. Kur themi ‘jemi me ty’, jemi me ty deri në fund.”

Rama e përshkroi BE-në si një “pacient me 27 mjekë”, duke nënvizuar nevojën për më shumë unitet dhe për një Bashkim më funksional:
“Evropa duhet të vendosë nëse do të thellohet drejt shteteve të bashkuara të Evropës apo do të shpërbehet në copa. Nëse ndahemi, secili do të bëhet satelit i dikujt tjetër, jo një histori suksesi.”
Kryeministri foli edhe për rolin e sipërmarrjes dhe ekonomisë në forcimin e Evropës:
“Duhet t’u japim institucioneve mesazhin që edhe ato të sillen në mënyrë sipërmarrëse, të bashkëpunojnë me biznesin dhe të prodhojnë vlerë për interesin publik.”

Në fund të fjalës së tij, Rama apeloi për një Evropë më të hapur dhe për ruajtjen e misionit të saj si projekt paqeje:
“Fakti që kemi opinione të ndryshme nuk është arsye për t’u veçuar. Duhet të jemi më të hapur me botën. Europa nuk duhet të shndërrohet nga një projekt paqeje në një projekt lufte. Çfarëdo të ndodhë, ne do të jemi gjithmonë krah saj.”
Moderatori i panelit, sipërmarrësi Stjepan Oresković, e falënderoi Ramën për kontributin, duke shtuar: “Faleminderit Edi Rama. Nuk zhgënjeni kurrë!”/L.F-dritare.net