
QSUT reagon për vdekjen e mjekut Bledi Nini: Humbje e madhe për mjekësinë shqiptare
Dritare.net
QSUT-ja ka reaguar për vdekjen e mjekut të njohur, Bledi Nini si pasojë e Covid-19. Stafi i spitalit dhe shërbimit ORL shprehet i tronditur për largimin para kohe të Ninit, i cili ishte një nga mjekët më të mirë ORL në vendin tonë.
"Shërbimi ORL dhe gjithë stafi i QSUT-së janë thellësisht të tronditur nga humbja e papritur e jetës së kolegut Dr. Bledi Nini. Ai nuk e fitoi dot luftën me Covid-19.
Dr. Bledi Nini, i cili gjatë periudhës 2001 - 2019 ka qenë pjesë e rëndësishme e Shërbimin ORL në QSUNT; me aftësitë e tij profesionale dhe me humanizmin e tij u ka shpëtuar jetën qindra pacientëve, të cilëve u rrezikohej jeta nga trupat e huaj dhe jo vetëm. Dr. Bledi është karakterizuar për marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët dhe pacientët. Ai ka marrë pjesë aktive në proçesin e edukimit të mjekëve të rinj dhe ka qenë për disa vite nën kryetar i Shoqatës Shqiptare të ORL. Ndarja e parakohshme nga jeta e Dr. Bledit është humbje e madhe për mjekësinë Shqiptare, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm.
I shprehim ngushëllimet tona familjes.
U prehsh në paqe kolegu ynë i dashur!"-thuhet në reagimin e QSUT-së./K.C/dritare.net

















