Provimet e Maturës Shtetërore! Ja kur hapet periudha e aplikimeve për lëndët me zgjedhje!
Dritare.net

Ministria e Arsimit ka bërë një njoftim të rëndësishëm për maturantët, ku bëhet me dije se është miratuar periudha e aplikimeve për formularët që ata duhet të plotësojnë, për të përcaktuar lëndët me zgjedhje. Kjo periudhë e aplikimit do të nisë më 2 shkurt.
Ndërkohë theksohet se për maturantët e viteve të kaluara të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, aplikimi do të jetë më 10-11 shkurt.
"Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026 , ku nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 shkurt.
Ndërsa për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10-11 shkurt. Të dashur maturantë, ndiqni me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse", thuhet në njoftim.
Në fillim të këtij muaji u publikuan edhe datat e provimeve të maturës ku provimi i gjuhës së huaj do të jetë më 2 qershor, më 9 qershor i gjuhës shqipe, provimi i matematikës do të jetë më 16 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 23 qershor.
Për përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.
