Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Projekti TID në Durrës/ Rama takon familjet: Do të rivlerësojmë banesat!

Projekti TID në Durrës/ Rama takon familjet: Do të

74 familje në Durrësi që preken drejtpërdrejt nga projekti TID zhvilluan sot një takim me kryeministrin Edi Rama. Bëhet fjalë për familje që do të shpronësohen në kuadër të projektit për rijetëzimin e bulevardit historik “Epidamn”.

Pas rreth dy orësh diskutimesh në ambientet e brendshme të bashkisë, ku morën pjesë përfaqësues të familjeve të prekura, u arrit një dakordësi paraprake me qeverinë lidhur me procesin e vlerësimit të pronave. Kryeministri deklaroi për mediat se do të bëhet rivlerësimi i disa banesave që pretendohet se kanë vlera kulturore, do të shqyrtohet situata e shtëpive pa hipotekë dhe do të rishikohen referencat e reja për çmimin e shpronësimeve. Sipas tij, projekti do të vijojë dhe ndërtesat e përfshira në plan do të shemben.

“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Do të ketë prishje, nuk do të ndalet, por do të bëhet verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore dhe disa shtëpi që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë. E kemi diskutuar edhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”, tha kryeministri Rama.

Rama theksoi se është rënë dakord për mënyrën e vijimit të procesit, duke përfshirë verifikimin e objekteve me potencial trashëgimie kulturore dhe trajtimin e rasteve me probleme pronësie. Ai shtoi se çështja e çmimeve do të rishikohet mbi bazën e referencave të reja.

Kryeministri komentoi gjithashtu protestën e zhvilluar më 10 shkurt para bashkisë së qytetit, ku pati tensione mes protestuesve dhe policisë, përfshirë incidente me vezë ndaj godinës dhe përplasje fizike me përfaqësues të IMT-së. Sipas tij, në protestë kishte edhe persona që nuk janë drejtpërdrejt të prekur nga projekti, përfshirë përfaqësues të Partia Demokratike.

"Ata që kanë hallin, me ta kemi folur. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë as qytetin as qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjetari, të rrjedhur nga çdolloj rruge të arsyes, krijojnë situata që janë qesharake dhe që tregojnë se ku është katandisur ajo parti", tha Rama./K.C/dritare.net