Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Pritshmëri te papërmbushura!

Pritshmëri te papërmbushura!

Nga Rezart Spahia
Partner Administrator, Frost & Fire Consulting

Ku e sheh veten pas 5 apo 10 vjetësh?" më pyeti partneri i Kravath në New York pas rreth 15 minutash, duke sinjalizuar kështu që intervistës po i vinte fundi, teksa priste të dëgjonte përgjigjen standarde që thekson dëshirën e aplikantit për të punuar pa u lodhur nëse i ofrohet vendi i punës. "Në shtëpi", u përgjigja, "në Shqipëri".

Kanë kaluar gati njëzet vjet nga ajo intervistë, e cila zgjati edhe dy orë të tjera pas përgjigjes time. Punova për rreth një dekadë te Kravath, duke mësuar nga mendjet më të ndritura juridike për botën e biznesit. Gjithsesi, kur vajza ime e madhe mbyshi moshën për shkollë, erdhi koha për të përmbushur vizionin tim për t’u kthyer në Shqipëri. Shumë miq, veçanërisht ata shqiptarë, ishin mosbesues nga kthimi im i paralajmëruar. Të gjithë pyesnin: "Ti që vjen nga kjo botë" - në sytë e tyre, plot shkëlqim dhe pasuri - "çfarë pret të gjesh në Shqipëri?!"

Nuk isha dikush që isha i shkëputur nga realiteti shqiptar dhe më kishte kapluar nostalgjia. E dija shumë mirë se ku po kthehesha. Siç shkruante kolegu im malazez Vladimir Radonjic në një editorial të mëparshëm të CEELM, në një rajon ku “asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë", pa "demokraci funksionale", dhe ku "zbatimi i ligjit mbetet problematik… ”. I prisja të gjitha.

Pavarësisht nga kjo, besoja se si një vend në zhvillim dhe me ambicie për t'u anëtarësuar në BE, i bekuar me burime natyrore, një bregdet të bukur dhe një popullsi të re dhe të arsimuar, Shqipëria do të bëhej një opsion tërheqës për investimet e huaja - bizneset do të dëshironin të investonin sa më herët që të përfitonin nga rritja ekonomike e Shqipërisë dhe integrimi i saj në BE. Shpresoja se një pjesë e madhe e atij fluksi të transaksioneve nga investitorët e huaj do të shkonte te profesionistët që "flisnin gjuhën e tyre.” Gjithashtu paramendoja se edhe biznesmenët shqiptarë do kishin dëshirë për të mësuar praktikat më të mira dhe të rrisnin bizneset e tyre në mënyrë të përgjegjshme që të mund të garonin si të barabartë me homologët e tyre në BE. Prisja që do të gjeja shumë profesionistë që si unë do ishin të bindur për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri.

Tashmë kanë kaluar pesë vjet që nga themelimi i kompanisë time të këshillimit juridik dhe financiar në Tiranë. Megjithatë, ka një hendek të madh midis pritshmërive të mia dhe realitetit. Fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri gjatë 15 vjetëve të fundit ka qenë mesatarisht vetëm rreth 180 milionë euro në vit, i nxitur kryesisht nga një numër i vogël projektesh të mëdha në infrastrukturë. Investimet amerikane janë pothuajse joekzistente. Ka shumë “investitorë nga lindja” të cilët janë në kërkim të “oportuniteteve” dhe duan të bëjnë takime të para dhe të dyta plot pyetje (falas), por që më pas zhduken. Numri i biznesmenëve vendas që nuk habiten nga numri i faqeve në një kontratë shitblerje biznesi është shumë i kufizuar. Duke pasur parasysh historikun e proceseve tekanjoze gjyqësore të ndikuara aq lehtë nga faktorët e jashtëm, ata vazhdojnë të jenë të kënaqur me zgjidhje afatshkurtra bazuar në lidhjet personale sesa mekanizmat juridikë të nevojshëm dhe të sofistikuar. Pjesa më e madhe e veprimtarisë ekonomike është ende e varur nga qeveria, dhe para dhe pas zgjedhjeve, bota e biznesit shqiptar është gati e ngrirë në pritje të rezultatit. Për më tepër, ndonëse firma jonë është rritur në numër me profesionistë me arritje të spikatura, gjetja e individëve të talentuar që duan të investojnë në një të ardhme në Shqipëri, mbetet sfiduese. Shpërblimi i tyre me paga të krahasueshme me kolegët e tyre në Perëndim është i pamundur, veçanërisht duke pasur parasysh që klientët në Shqipëri presin një produkt me cilësi të Nju-Jorkut për tarifa me ulje të madhe, madje edhe sipas standardeve lokale.

Unë e di se, përtej përvojës sime me tregun shqiptar të konsulencës juridike, "mospërputhja e pritshmërive" është një temë që e përbashkët për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Të pa kënaqur me klasën politike të Shqipërisë, nivelin e perceptimit të korrupsionit, sistemin e dobësuar arsimor, monopolizimin e vazhdueshëm të ekonomisë dhe hezitimin e BE-së për të afruar vende të reja anëtare (të shprehur së fundmi përmes ndryshimit të vazhdueshëm të kritereve për hapjen e negociatave me BE, apo eksperimentin e sponsorizuar sui generis me reformën ligjore të Shqipërisë), një numër në rritje i shqiptarëve besojnë se emigracioni është përgjigjja.

Megjithatë, është e pamohueshme që Shqipëria ka pasur përparim. Shumica absolute e atyre që duan të emigrojnë janë padyshim më mirë sot sesa ishin pesë, dhjetë, ose njëzet vjet më parë, dhe problemet e Shqipërisë nuk janë aspak unike në rajon apo më gjerë. Megjithatë, pritshmëritë e shqiptarëve se ku duhej të ishte vendi pothuajse 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit, në mënyrë të arsyeshme apo jo, janë shumë larg me realitetin që perceptojnë, pavarësisht nga statistikat, raportet e komisionit europian, parashikimet ekonomike, apo edhe nga rrogat që ata kanë. Të rinjtë e sotëm nuk duket ta konsiderojnë më durimin si virtyt, gjë që (në mënyrë të paarsyeshme) shpresoj se do të dalë për të mirë.

Për sa më përket mua, po e përdor hendekun mes pritshmërive dhe realitetit si motivim për vazhduar punën drejt qëllimit tonë të deklaruar: të bëhemi studio juridike më e besuar dhe e respektuar në Shqipëri, e njohur nga klientët tanë për punën e shkëlqyer, nga konkurrentët si përcaktuese standardit profesional dhe nga juristët e rinj si ambjenti më i mirë profesional për të zhvilluar talentet e tyre./ Dritare.net

Përkthyer nga anglishtja dhe marrë nga CEE Legal Matters.