Policia nuk jep leje për protestën e PD: Kemi informacion se do ketë akte dhune!
Dritare.net

Policia e Tiranës nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike për protestën e radhës që pritet të zhvillohet sot, më 20 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësues të PD-së kanë njoftuar policinë për zhvillimin e tubimit, por pas analizës së riskut dhe duke marrë parasysh incidentet e protestës së kaluar ku pati persona të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke lënduar punonjës policie autoritetet kanë njoftuar se nuk e marrin përsipër zhvillimin e tubimit.
Policia thekson se ka informacione për mundësi të veprimeve të dhunshme edhe në protestën e sotme. Megjithatë, në bazë të ligjit “Për tubimet”, janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se tubimi zhvillohet.
Në kuadër të masave, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të Tiranës.
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet paralajmërojnë se, në varësi të situatës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Për të lehtësuar qarkullimin, policia ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen, të përdorin rrugë alternative dhe të distancohen apo të denoncojnë çdo veprim të dhunshëm apo paligjshmëri që mund të konstatohet./dritare.net