Princi Andrew, mbretërori i parë i arrestuar ndër shekuj!
Dritare.net

Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i Mbretit Charles III, u arrestua mëngjesin e sotëm nën dyshimin për shkelje të detyrës publike. Ai është anëtari i parë i familjes mbretërore britanike që përballet me një arrest në kohët moderne. Policia po kryen kontrolle në pronat e tij në Berkshire dhe Norfolk, përfshirë shtëpinë e tij të re në Norfolk, ku sapo u zhvendos pas përjashtimit nga prona mbretërore në Windsor.
Mbreti Charles dhe mbretëresha Camilla shprehën mbështetjen e tyre për hetimet dhe theksuan se “ligji duhet të ndjekë rrugën e tij”, duke siguruar autoritetet për bashkëpunimin e plotë të Pallatit Buckingham. Princi dhe Princesha e Uellsit mbështesin deklaratën, ndërsa Princ Harry nuk ka komentuar mbi arrestimin.
Andrew ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk ka komentuar mbi hetimet e fundit që lidhen me dokumentet e lëshuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së lidhur me Jeffrey Epstein. Ky arrest vjen pas një periudhe të gjatë skandalesh, përfshirë akuza të mëparshme nga Virginia Giuffre, e cila pretendoi se kishte pësuar sulme seksuale nga Andrew kur ishte adoleshente; çështja u mbyll me një marrëveshje jashtë gjykatës në vitin 2022, pa pranim faji nga ana e tij.
Familja e Giuffre e mirëpriti arrestimin, duke deklaruar se “askush nuk është mbi ligjin, as mbretëria”, dhe shpreson që hetimet të vazhdojnë për drejtësi të plotë. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm dhe i pazakontë në historinë moderne të familjes mbretërore britanike./K.C/dritare.net