PD tërhiqet nga bojkoti i Reformës Territoriale, plas sherri mes deputetëve demokratë
Dritare.net

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD, u hodh në tryezë propozimi për të bojkotuar mbledhjet e Komisione të Reformës Territoriale dhe asaj Zgjedhore. Por kjo nuk u mirëprit nga disa prej deputetëve të PD, të cilët u shprehën kundër këtij propozimi të artikuluar publikisht edhe nga Sali Berisha dhe deklaruar se do duhet të marrin pjesë dhe nuk mund të bojkotojnë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, kundër kanë dalë Bledjon Nallbatin, Xhelal Mziun, Oerd Bylykbashin, Ina Zhupën, Tritan Shehun, Eno Bozdo dhe Arjan Ndojën.
“Jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë që Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjidhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë në përshkallëzime më të mëdha nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, ka deklaruar Bledjon Nallbati.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, është shprehur Tritan Shehu.
“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre.
Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave të mia dhe më thonë merrni pjesë. Ju ftoj dhe të bëni një sondazh do ju dali që thonë merrni pjesë. Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete.
Ne duhet të jemi shumёdimensionalë, edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat”, ka deklaruar Ina Zhupa./TCh

