Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Parashqevi Simaku: Çfarë është Shqipëria për mua!

Parashqevi Simaku: Çfarë është Shqipëria për

Parashqevi Simaku është kryelajmi i ditëve të fundit. Për të flitet kudo dhe nga kushdo. Kjo pasi të premten qarkulloi një video në rrjet që thoshte se është Parashqevi Simaku dhe tregonte jetën e saj në Amerikë, si endacake.

Dritare.net ju sjell sot një fragment të një intervistë të bërë më 14 shkurt 1997, nga gazetarja Rudina Xhunga me Parashqevi Simakun, pasi ajo ishte kthyer nga Amerika. Në intervistë ajo tregon çfarë është për të Shqipëria që la në të shkuarën, për të ardhmen e saj në Amerikë.

Pjesë nga intervista!

Pra në vitin ’92 kur u larguat nga Shqipëria ishit pothuajse e bindur, se, askush këtu nuk do mund të qe i denjë për listën tuaj 10 kërkesëshe?

Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s’do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t’u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit.

Tani që jeni mirë, ç’kujtoni nga koha kur ishit keq?

Unë jam munduar të ruaj nga ajo histori dashurie vetëm të mirat, të bukurat, të cilat i kam bërë pjesë të jetës sime. I jam mirënjohës atij njeriu për ç’më dha dhe kam hedhur në harresë gjithë vuajtjet dhe dhimbjet.

Parashqevi Simaku: Çfarë është Shqipëria për

Dhe ndërsa gjendeni në prag të ëndrrës befas ju e lini mënjanë për t’ju kthyer të shkuarës, Shqipërisë.

Shqipëria është vendi të cilit i përkas unë dhe gjithë ç’do mund të realizoj në jetë. Më është dukur këto kohë se isha gati profesionalisht të nisja koncertet në Europë dhe si pikënisje do të ishte vendi im. Situata përkohësisht nuk më duket e përshtatshme, pasi punët s’duken se po shkojnë mbarë, por mendoj se vështirësitë si në jetën e një njeriu dhe të një kombi janë pjesë e rimëkëmbjes. Unë nuk munda të jap këtu koncerte, por kjo s’do të thotë se s’do kthehem sërish.

Im shoq që është njëkohësisht dhe menaxheri im po lidhet me disa firma të huaja që do na mundësojnë shfaqjet në disa vende të Europës dhe unë mendoj se kënga popullore shqiptare e përpunuar, e moderuar, kënduar prej meje jo vetëm do të pëlqehet, por edhe do të duartrokitet në skenat e Europës që e kanë njohur dikur këtë këngë nga zëri i paharrueshëm i Vaçe Zelës dhe duhet të vazhdojnë ta njohin e ta dallojnë nga muzika e popujve të tjerë, pse vërtetë kënga jonë është ndryshe, është e bukur, është e mrekullueshme. Ajo është vetë fati dhe çelësi i suksesit për kë provon ta paraqesë në skenat e huaja dhe të pretendojë duartrokitje, lule dhe sukses.

Unë kam investuar shumë për të ardhmen time. Kam harxhuar gjithë ç’kam fituar për edukimin tim profesional e atë njerëzor. Tani kam gjithë mundësitë jo vetëm për ta paraqitur shkëlqyeshëm vetveten, por dhe vendin tim, folklorin tonë të jashtëzakonshëm./dritare.net