
Nga Rudina Xhunga
Rrëfimi që i dha zë një viti lufte, dhimbjeje dhe shprese
Ka libra që të mësojnë. Ka libra që të tronditin.
Dhe ka libra që të shërojnë.
“Një ditë tjetër” i Mira Kazhanit është pikërisht ky libër.
Në këtë roman–ditar, Mira me kancer gjiri rrëfen një vit të tërë të jetës së saj: frikën e parë, goditjen e diagnozës, dhimbjet fizike, lëkundjet emocionale, momentet e zhveshura nga çdo iluzion, dhe pastaj — dritën. Dritën që del nga guximi, solidariteti, dashuria dhe fuqia e njeriut për t’u ngritur, ditë pas dite.
Ky nuk është një libër për sëmundjen.
Ky është një libër për jetën.
Pse duhet të jetë Libri i Vitit?
Është rrëfimi më i vërtetë i vitit
Mira Kazhani sjell një histori reale, të zhveshur nga romantizimet, të ndershme deri në fund. Lexuesi gjen aty frikën që askush nuk e thotë, shpresën që shpesh duket e pamundur, pyetjet që çdo njeri i sëmurë i bën vetes në heshtje. Në një kohë kur letërsia shpesh fsheh të vërtetat, ky libër i nxjerr në dritë.
Është rrëfimi më ndikues i vitit
Sepse i jep zë mijëra grave që përballen me kancerin e gjirit — një betejë që rrallë dokumentohet me kaq ndershmëri. Libri ka bërë shumë gra të flasin, shumë familje të kuptojnë, shumë mjekë t’i rikthehen njerëzores në mes të betejave klinike. Në këtë kuptim, ndikimi i tij është shoqëror, psikologjik dhe emocional.
Është një vepër kurajoze dhe e nevojshme
Rrëfimi i kësaj lufte nuk kërkon vetem talent, kërkon edhe guxim. Dhe Mira e ka patur në çdo faqe. Të ndash momentet më të brishta, më të errëta, më të vështira, nuk është akt thjesht akt letrar, është akt human. Dhe humaniteti i këtij libri ka kthyer shumë lexues në dëshmitarë të forcës së njeriut.
Është një libër që e tejkalon letërsinë
Në faqet e tij nuk gjen vetëm një histori, por një udhërrëfim: si ta duash trupin, si të pranosh frikën, si të gjesh forcë kur nuk ke më, si të jetosh për “një ditë tjetër”, edhe kur duket se nuk ka ditë tjetër.
Për të gjitha këto arsye, “Një ditë tjetër” meriton të shpallet Libri i Vitit në Panairin e Librit.
Jo vetëm sepse është i shkruar bukur.
Por sepse është i shkruar me jetë.
Dhe librat e tillë nuk botohen shpesh. Sidomos ketu te ne! /dritare.net