
Niko Peleshi: Shqipëria do të vërë në punë fabrikat e armëve!
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka pranuara se Shqipëria do të kthehet në një vend ku do të prodhohen armatime.
Shqipëria do të kthehet në një fabrikë armatimi për Ukrainën. Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë samitit të sotëm deklaroi se ka firmosur një marrëveshje me Ramën për prodhim armësh dhe municioni, duke dhënë sinjale se te ne do nisë prodhimi i armatimeve. Në fakt ai që i ka vënë vulën është ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ka pranuara se do të ringrihen uzinat e dikurshme.
Gjatë një interviste televizive, Peleshi deklaroi se po punohet për ringjalljen e kësaj industrie në vendin tonë. Sipas tij, nga kjo industri Shqipëria do të ketë përfitime ekonomike, por gjithashtu do forcojë dhe kapacitetet e saj mbrojtëse.
“Nuk e kishim menduar se do vinte koha e një konflikti konvencional. Dy vite më parë Rusia tronditi gjithë situatën gjeopolitike në botë. Në aspektin ekonomik është një industri që siguron të ardhura, por edhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse sidomos në këto kohë ku paqja dhe stabiliteti janë në kërcënim”, tha Peleshi, për “Real Story” në ABC News.
Ministri i Mbrojtjes shtoi gjithashtu tha se së shpejti do të kryhet një studim fizibiliteti, ku do të shihen fabrikat e prodhimit të armëve në Gramsh dhe Poliçan, e më pas do të kërkohen investime për të vënë në funksion fabrikat e armatimeve .
“Ka disa aktivitete minore prodhimi, edhe ajo e Gramshit dhe Poliçanit është pasive. Ne duam të futemi në industrinë. Ne po kërkojmë investime, kemi bërë hapa serioze me MSPA për të hartuar një studim fizibiliteti. Pjesa e madhe e makinerive nuk punon më”, tha ai.
Peleshi tha më tej se gjendja e industrisë ushtarake në vendin tonë dihet dhe se po synohet të ringrihet dhe rigjenerohet në bazë të standardeve të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes deklaroi se kompanitë e armatimeve nuk do të bëhen vetëm për të furnizuar Ukrainën por do të jetë një industri më e gjerë. Në fund ai ju bëri një thirrje investitorëve përfshirë dhe atyre shqiptarë, që të hedhin sytë nga biznesi i sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kemi treguar se cila është gjendja e industrisë ushtarake dhe cilat janë planet tona për ta vënë atë në punë. Unë bëj thirrje që të shohin edhe potencialin që ne kemi sepse për fat të keq importojmë gjithçka. Të interesuar për prodhim armësh, jo vetëm për Ukrainën. Nuk mund të ketë një projekt emergjent përsa i përket industrisë tonë ushtarake sepse siç e thashë teknologjitë janë vjetëruar dhe kanë nevojë për investime të rëndësishme. Gjithsesi them se jemi të vendosur për ta rivënë në punë këtë industri dhe më pas padyshim për të furnizuar edhe nevojat tona, por jo vetëm. Jemi në kërkim të investitorëve prestigjiozë që plotësojnë standardet e NATO-s. Nuk jemi në ’97, ngjarjet e kaluara na shërbejnë për t’i marrë të gjitha masat për standardet e sigurisë. Shqipëria ka vetëm një orientim dhe ai është perëndimi. Pra edhe populli shqiptar është me sytë nga Perëndimi. Unë dua të theksoj se na duhet të kultivojmë një mendësi të re në raport me paqen dhe sigurinë. Çdo aleat duhet të investojë në rritjen e kapaciteteve. Natyra e kërcënimeve kemi parë që po ndryshon. Po punojmë me shpejtësi për të investuar në segmente të munguara në korridorin e tetë, Këto duan investime të mëdha, projektet tona për mbrojtjen ajrore do të nisin nga ky vit. Kjo duhet të vazhdojë”, tha ai./abcnews

















