Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga turistët elitarë te artizanët vendas. Ministri Blendi Gonxhja: Strategjia e turizmit në 2026!

Nga turistët elitarë te artizanët vendas. Ministri Blendi

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, deklaroi se strategjia e qeverisë për zhvillimin e turizmit në vitin 2026 nuk do të fokusohet vetëm te turizmi elitar, por synon që përfitimet ekonomike të shtrihen edhe te bizneset e vogla lokale dhe vetë banorët e zonave turistike.

Në përgjigje të pyetjes së gazetares së Dritare TV, Lorena Fjolla, ministri solli si shembull konkret Parkun Kombëtar të Butrintit, ku po zbatohen projekte në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me komunitetin vendas.

Sipas ministrit Gonxhe, fondacioni që administron Butrintin po punon me artizanë, fermerë të vegjël dhe shitës lokalë, duke krijuar hapësira brenda parkut për stenda me produkte bujqësore, artizanale dhe suvenire autentike shqiptare, të cilat u ofrohen si turistëve ashtu edhe vizitorëve vendas.

Ministri theksoi se një nga prioritetet është krijimi i një brand-i kombëtar të suvenireve shqiptare, të certifikuara dhe të kontrolluara për cilësi dhe vlera kulturore, për të shmangur produktet pa identitet dhe me mesazhe të gabuara që shpesh shiten në zona turistike dhe institucione kulturore.

“ Në shumë vende të botës, muzeumet dhe parqet kulturore sigurojnë deri në gjysmën e të ardhurave nga suveniret dhe produktet artizanale. Ky është një potencial ekonomik i pashfrytëzuar edhe për Shqipërinë,” u shpreh Gonxhja.

Ai bëri të ditur se Fondacioni Kulturor, i cili është në proces krijimi, do të blejë produkte artizanale në sasi të kontrolluara, në bashkëpunim me AIDA-n dhe agjenci certifikimi, duke mbështetur artizanatin tradicional dhe jo prodhimin industrial. Këto produkte do të përdoren edhe për promovimin e kulturës shqiptare në ambasada, qendra kulturore jashtë vendit dhe projekte me diasporën.

Ministri përmendi gjithashtu nismën KulturaAlb, e cila po zhvillohet për herë të parë jashtë Shqipërisë, si një platformë për promovimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në botë.

Një tjetër element kyç i strategjisë është krijimi i një rrjeti dyqanesh ekskluzive në institucione simbolike si kalatë, Muzeu Kombëtar dhe Teatri i Operës dhe Baletit, të cilat do të shërbejnë si pika shitjeje për produktet artizanale shqiptare.

Sipas ministrit kjo qasje synon jo vetëm rritjen e të ardhurave nga turizmi, por edhe mbështetjen e artizanëve, grave dhe burrave duarartë në të gjithë Shqipërinë, të cilët përballen me vështirësi për të ruajtur dhe trashëguar zanatet tradicionale.

“Ky është një problem real që ne e kemi adresuar dhe ku do të investojmë seriozisht,” përfundoi ministri./L.F-dritare.net