
Nga një kredi për zetor në një histori suksesi, 14 vjet Mrizi i Zanave
Dritare.net
Mrizi i Zanave, një nga historitë më frymëzuese të suksesit në gastronominë dhe agroturizmet shqiptare, ka shënuar sot 14 vjet nga themelimi i tij. Në një postim në rrjetet sociale, themeluesit kujtojnë se si më 4 qershor 2010, me 25 mijë euro kursime dhe një kredi të marrë nën justifikimin për blerje traktori, në një kohë kur bankat nuk jepnin kredi për investime në fshat, u hodhën themelet e këtij projekti që sot është kthyer në simbol të kulinarisë autentike dhe zhvillimit rural.
“Me shumë ëndrra dhe me djersën e ballit, vetëm me djersën e ballit jemi këtu,” thuhet në postim, që vjen si një reflektim për rrugën e gjatë dhe për sfidat e tejkaluara.
"Me dt 4 qershor 2010 me rreth 25 000€ kursime dhe nje kredi qe morem duke genjyer se do blinim zetor nga qe asokohe nuk jepte kush kredi per investim ne fshat e hapem Mrizin e Zanave.
Me shume endrra dhe me djersen e ballit dhe vetem me djersen e ballit jemi ketu! Sot ne nivel kombetar dhe rajonal ka ndryshuar perceptimi mbi produktin vendor, gatimet tradicionale dhe investimi ne zonat rurale. Jemi te lutmur qe kemi qene te paret qe e filluam flladin e lehte qe sot eshte kthyer ne rrymë te mirefillte."
Mrizi i Zanave ka qenë ndër iniciativat e para që solli një frymë të re në perceptimin për produktin vendas, gatimet tradicionale dhe rëndësinë e investimeve në zonat rurale. Ajo që nisi si një rrymë e lehtë, është sot një lëvizje e mirëfilltë që ka frymëzuar të tjerë të ndjekin rrugën e turizmit të qëndrueshëm dhe agroturizmit.
Përmes një falënderimi të sinqertë, stafi i Mrizit të Zanave i drejtohet ndjekësve dhe mbështetësve të tyre: “Faleminderit të gjithëve që na jeni bashkuar.”/L.F-dritare.net

















