
Ministrja Gjonaj: Burgu i Zaharisë, do të mbyllet pas 30 vjetësh
Dritare.net
Në interpelancën e thirrur nga deputeti Lefter Maliqi, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se gjendja e burgjeve ka ndryshuar rrënjësisht pas 2017, por ka ende punë për të bërë. Ajo u shpreh se pas 30-vjetësh, burgu i Zaharisë në Krujë, do të mbyllet.
“Kur mora drejtimin e ministrisë së Drejtësisë, gjendja e burgjeve, fliste vetë se ku ndodhej. Ndryshimi rrënjësor prej 2017 preku ndryshime në sistemin penitenciar. Kemi ende punë përpara për të qenë aty ku synojmë. Në këto 3 vite kemi arritur që të bëjmë reformë të rëndësishme të sistemit penitenciar. Zbatimi i regjimit 41 bis, nëse dikujt në këtë sallë dhe jashtë saj mund t’ju vijë keq, ka rezultuar sukses. Filtri i sigurisë në burgje është rritur. Si për takime dhe futjen e sendeve të ndaluara. Sot janë 110 të dënuar në këtë regjim që kanë thyer rënd rendin dhe sigurinë në burgje. Për herë të parë pas 10 vitesh u rrit paga e punonjësve të burgjeve.
Këtë rritje pagash, që është historike për këtë sistem, rritja ka qenë me 11 %.
Jemi duke marrë masa që me një investim të ri, të mbyllim Zaharinë pas 30 vitesh", tha Gjonaj./L.F-dritare.net

















