
Ministri Vengu: Pesë prioritetet e Shqipërisë për mbrojtjen
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mbajti fjalën e tij në Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA-A5), e cila po zhvillohet në Shqipëri për vitin e dytë radhazi.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se Shqipëria është dhe do të mbetet një ndërtues konsensusi dhe një partner i besueshëm në nismat rajonale dhe euroatlantike. Ai vlerësoi rolin e Kartës së Adriatikut si një instrument të rëndësishëm bashkëpunimi dhe stabiliteti, veçanërisht për shkak të pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara.
“Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes, një qendër kryqëzimi, lidhshmërie dhe ndërveprimi ushtarak, në një hapësirë me rëndësi strategjike për sigurinë euroatlantike,” u shpreh Vengu.
Ministri renditi pesë fusha kryesore ku Shqipëria dhe vendet e rajonit duhet të veprojnë me vendosmëri:
Rritja e buxheteve të mbrojtjes,
Zgjerimi i industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak,
Modernizimi i forcave të armatosura me kapacitete të avancuara,
Investimi në infrastrukturë kritike sipas standardeve të NATO-s dhe BE-së,
Forcimi i bashkëpunimit me aleatët përmes trajnimeve, stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta.
Vengu theksoi se Shqipëria po ndjek me vendosmëri këtë rrugë, duke rritur shpenzimet për mbrojtjen, rigjallëruar bazat industriale dhe investuar në infrastrukturë moderne. Ai shtoi se vendi ynë ka rreth 500 trupa të dislokuara në misionet e NATO-s dhe BE-së, përfshirë KFOR-in, operacionin ALTEA, si dhe praninë në Letoni e Bullgari, duke treguar angazhim serioz edhe ndaj kërcënimeve në krahun lindor të Aleancës.
Sa i përket Ukrainës, ministri Vengu konfirmoi se Shqipëria do të vijojë mbështetjen politike dhe ushtarake, përmes programeve si Interflex, NSATU dhe JATEC.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit, bashkëpunimit dhe sigurisë kolektive. Aleatët mund të mbështeten gjithmonë tek ne,” përfundoi Vengu./L.F-dritare.net

















